AlbanianSport.com 13.04.2015 09:15
ASNN – Paraqitjet e shkëlqyera të Shkëlzen Gashit me Bazelin kanë filluar të tërheqin vëmendjen e skuadrave të mëdha të futbollit. Sipas asaj që shkruajnë mediat në Zvicër është Shalke 04-a që seriozisht ka hyrë në garë për të nënshkruar me anëtarin e kombëtares shqiptare.
Skuadra gjermane pritet që gjatë verës t’i bëjë një ofertë të majme Bazelit për Gashin dhe kërkon me ngulm qe te transferojë lojtarin, i cili pëlqehet shumë nga trajneri italian i gjermanëve, Roberto Di Mateo. Sipas mediave zvicerane Shalke do te ofroje 8-10 milionë euro për Gashin.
Në rast transferimi te Shalke 04-a, Gashi do të bashkohej me talentin shqiptar të kësaj skuadre, Donis Avdijaj, që është i huazuar në Austri te Shturmi i Gracit. Por për Gashin ekzistojnë mundësi edhe për në Itali, atje ku Sampdoria kërkon ta marrë, ashtu është e interesuar dhe për trajnerin e Bazelit, Paulo Souza.
Në rast se Souza transferohet në Sampdoria, atëherë ai do ta marrë me vete edhe sulmuesin shqiptar. Sipas mediave, Gashi do të ishte sulmuesi ideal për të zëvendësuar Eto’onë.