AlbanianSport.com 11.04.2015 20:25
ASNN – Ka përfunduar me tension sfida e parë finale e volejbollit për meshkuj mes Studentit dhe Tiranës. E luftuar deri në momentet e fundit ajo ka sjellë një përplasje në momentet kur lojtarët bardheblu po festonin fitoren e arritur me përmbysje.
Megjithatë gjithçka u shua shpejt pa patur probleme të tjera. Tirana ka fituar sfidën e parë me rezultatin 3-2 me Studentin kampion në fuqi. Përballja e radhës do të zhvillohet të martën në sallën sportive “Farie Hoti”.
Mesa duket, dhuna në sportin shqiptar nuk i përket vetëm futbollit. Me pamje të shëmtuara u mbyll finalja e parë për titullin “kampion”, midis Studentit dhe Tiranës në volejbollin për meshkuj, të fituar 3-2 me sete nga skuadra bardheblu e kryeqytetit.
Protagonist ishte kapiteni i Studenit, Tukseferi, të cilin, në fund e tradhëtuan nervat duke finalizuar në këtë mënyrë një dialog të tensionuar me trajnerin e Tiranës, Artan Sako që kishte nisur gjatë sfidës.
Kjo e fundit ishte më të vërtetë spektakolare, e vendosur vetëm në setin e pestë pas një përmbysje të madhe të Tiranës. Kampionët në fuqi të Studentit nisën në mënyrën më të mirë ndeshjen, duke fituar dy setet e parë.
Por kur trajneri Ylli Tomorri priste që skuadra e tij të vuloste fitoren, Tirana ktheu gjithçka në favorin e saj. Në fillim, bardheblutë barazuan rezultatin, ndërsa morën dhe setin e 5-të të kësaj finaleje të parë për titullin “kampion” në volejbollin për meshkuj.