AlbanianSport.com 11.04.2015 15:00
ASNN – Flamurtari-Apolonia do të jetë finalja me pesë takime për të përcaktuar skuadrën “kampione” në këtë sezon të basketbollit për femra. Flamurtari ka mposhtur Tiranë në takimin e tretë, të luajtur sot në Vlorë dhe tashmë shkon sërish me objektivin drejt titullit “kampion” përballë Apolonisë. Ka qenë një ndeshje me dy tablo në Vlorë, ndërsa Tirana, ashtu si edhe në ndeshjen e dytë në kryeqytet, edhe pse është gjendur në epërsi, kur e ka mbyllur pjesën e parë me 15 pikë diferencë, nuk ka mundur dot t’i bëjë ballë skuadrës kampione në fuqi dhe Flamurtari siguron sërish finalen.
Ndeshja nis me mjaft rivalitet në Pallatin e Sportit në Vlorë, ku, si Flamurtari dhe Tirana luajnë mjaft mirë duke kërkuar t’i shkëputen njëra-tjetrës, ndërsa në çaste të caktuara, ka edhe momente tensioni në parket. 10 minutat e para mbyllen me epërsinë prej një pike të Tiranës, ndërsa në 10 minutat e dytë, miket nga Tirana luajë më mirë duke u dalluar lojtaret serbe, madje deri në fund të kësaj pjese loje, Tirana e mbyll në epërsi, në shifrat 41-26, duke dhënë idenë se mund të ndodhte si në takimin e parë të luajtur në Vlorë .
Por Flamurtari hyn me ide të tjera në parket, duke dominuar gjithçka në fushë dhe duke mos i dhënë shansin kundërshtarit të luajë lojën e vet. Flamurtari madje arrin të kthejë disavazntazhin prej 15 pikësh, duke dalë përpara dhe mbyllur 10 minutat e treta në epërsi të katër pikëve 53-49, duke treguar 10 minuta të shkëlqyera. Këtu nis dhe gjithçka tensionohet edhe më shumë, ndërsa Borova tek Tirana kundërshton çdo vendim të gjyqtarëve në parket. Largohete dhe Radunoviç me 5 gabime, si dhe Popovic për një veprim të gabuar në lojë dhe Flamurtari nis të thellojë avanzthin në 10 minutat e katërta.
Largohet edhe trajneri Borova, pas një vendimi të gjyqtarisë dhe Flamurtari e mbyll në shifrat 85-62, duke siguruar pas tre ndeshjesh finalen e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, mes rivalitetit me Tiranën. Duhet theksuar se takimi i tretë ka patur nerva,tensione dhe mes lojtareve në parket, madje Eliverta Bujari kryen një tjetër veprim të gabuar, duke u larguar nga fusha, në dëm të Vukoviçit. Tensioni si për çudi është midis lojtareve serbe të të dyja skuadrave, por në fund fiton Flamurtari që tashmë kërkon sërish titullin “kampion”.
Flamurtari – Tirana 85-62
(19-20,7-21, 27-8, 32-13)
Flamurtari: Myrto, Zykaj, Rrapaj, D. Hasanaj,K. Hasanaj, Vukoviç, Plasa, Hysaj, Corto, Komti, Palko, Kostallari. Trajner: V. Toska
Tirana: Duqi, Popovic, Hoxhaj, Gjoni, E. Bujari,G. Bujari, Radunoviç, Konini, Nelaj, Aliaj, Turçinoviç. Trajner: E. Borova
Gjyqtarë: G. Hoxha,O. Kasmi, J. Gjokaj
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kalendari i “Play-Off”-it
Gjysmëfinalet
Ndeshjet e para
(4 prill 2015)
Apolonia – Skënderbeu 90-50 (1-0)
Flamurtari – Tirana 74-80 (0-1)
Ndeshjet e dyta
(8 prill 2015)
Skënderbeu – Apolonia 76-80 (2-0)
Tirana – Flamurtari 65-71 (1-1)
Ndeshjet e treta*
(11 prill 2015)
Flamurtari – Tirana 85-62
* Nëse do të ishte e nevojshme.