AlbanianSport.com 10.04.2015 15:20
ASNN – Rezultatet e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë konfirmuan edhe një herë se ky sezon ofron një rivalitet të jashtëzakonshëm në të dy veprimtaritë madhore të futbollit shqiptar. Ndoshta kjo ishte edhe meritë e shortit të Kupës, që vuri përballë skuadra me objektiva të njëjta, duke shmangur çdo lloj kompromisi qoftë të heshtur mes 5 skuadrave që kryesojnë Kategorinë Superiore. Fitorja 1-0 e Kukësit, madje edhe në mungesë të tifozëve, e nxeh edhe më shumë duelin e kreut, që shpeshherë i ka kapërcyer kornizat sportive me akuza dhe ngacmime mediatike mes dy presidentëve Ardian Takaj dhe Safet Gjici.
Në javën e 32-të, vetëm pak ditë pasi të jetë përcaktuar çifti finalist i Kupës, Kukësi dhe Skënderbeu do të përplasen sërish në “Zeqir Ymeri”, ndoshta për një duel që mund të vendosë edhe fatin e titullit kampion. Mirëpo më parë korçarët duhet të kalojnë një tjetër provë të rëndësishme në kampionat, teksa do të presin Partizanin në kuadër të javës së 30-të. Barazimi i Laçit me Tiranën në “Qemal Stafa” konfirmoi edhe një herë se skuadra kurbinase mbetet “macja e zezë” për bardheblutë në këtë sezon. Në katër përballjet e deritanishme formacioni i Armando Cungut ka triumfuar dy herë, 2-0 dhe 3-0, ndërsa dy sfida të tjera kanë përfunduar në barazim pa gola.
Një dominim i plotë i Laçit, që ka shënuar 5 dhe nuk ka pësuar asnjë gol në përplasjet me formacionin e Gugash Maganit. Por rivaliteti mes Laçit dhe Tiranës, sikurse në rastin e Kukësi – Skënderbeu, shtrihet edhe në kampionat. Diferenca mes tyre është vetëm 4 pikë, ndërkohë që, përveç sfidës së kthimit të Kupës, në program është edhe përballja e fazës së katërt, në kuadër të javës së 32-të. Kalendari i javës 30, që luhet të dielën dhe të Hënën, favorizon Tiranën, që do të presë në “Qemal Stafa” Vllazninë, ndërsa katër skuadrat rivale të bardhebluve do të përplasen me njëra-tjetrën. Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Laçin, ndërsa Skënderbeu luan në Korçë me Partizanit.