Gjergj Vyshka 09.04.2015 21:15
“Për ne ka një domethënie të madhe kjo fitore, ndonëse ndeshjen e kthimit do ta luajmë në Korçë, – ka deklaruar trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, duke folur pas triumfit minimal në fushën e vet ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. – E kemi merituar fitoren, edhe pse në pjesën më të madhe të ndeshjes nuk e kemi kontrolluar si duhet topin.”
“Megjithatë ne patëm raste më shumë dhe në fund ka rëndësi rezultati i ndeshjes, – ka vijuar shqiptari i Maqedonisë. – Kuptohet që ndeshjen e kthimit do ta nisim me një gol më tepër.” Ndërsa homologu i tij, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, tha: “Me lojën jam i kënaqur në përgjithësi, sidomos për mënyrën se si luajti skuadra dhe qarkulloi topin. Duhet të ishim më prezentë në zonën kundërshtare.”
“Vendosa ta ndryshoj këtë duke futur Stojkovin, i cili shpërdoroi rastin e vetëm të pastër. Megjithatë them se jemi në rrugë të drejtë, pasi skuadra, nga një lojë jo e mirë në Laç, u kthye në atë që di të bëjë më mirë. Me Partizanin do të fitojmë”, – ka përfunduar trajneri kryeqytetas i korçarëve, kampionë në fuqi.