AlbanianSport.com 01.10.2014 14:00
Në përfundim të seancës së djeshme stërvitore të gjirokastritëve, për gazetat sportive të ditës ka folur Sekretari i Klubit “Luftëtari”, Sefedin Braho, i cili ka treguar se Luftëtari nuk mund të gabojë dy herë. “Në radhë të parë, – ka thënë Braho, – më vjen keq që e nisëm kampionatin me një humbje, e cila nuk pritej nga askush. Sepse të gjithë ishim të bindur se ishte një skuadër fituese e ndërtuar nga trajneri Bledar Devolli.”
“Prisja një fitore, mirëpo ky është futbolli dhe gjithmonë humbja të bën të mendohesh dhe të nxjerrim përgjegjësitë e kësaj disfate, – ka vijuar ai. – Është një humbje, të cilën e ka marrë përsipër gjithë ekipi.Ndaj nuk dua të merrem më me humbjen me Dinamon, e cila erdhi si pasojë e lojës së dobët, por dhe mungesave të Sinanit, Shenajt e Norës. Kjo ndeshje nuk kthehet më, sepse na del për detyrë të mos bëjmë më disfata.”
“Duhet të punojmë për të përmirësuar gabimet që dolën në përballjen me Dinamon, – ka theksuar zyrtari gjirokastrit. – Shpresoj që humbjen që pësuam në shtëpi ta kthejmë në fitore duke nisur që nga sot në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit. Do të kërkojmë kualifikimin, ndërsa ndeshjen në kampionat me Sopotin nuk mund ta quajë të lehtë, pasi kundërshtari vjen nga një fitore ndaj një rivali direkt tonin si Butrinti.”
“Dhe nuk kemi pse të dorëzohemi, ndërsa një shprehje e urtë popullore thotë: “kali nuk shitet me një të qorrollisur”. Kam bindjen se Luftëtari do të kthehet në identitet, sepse kjo skuadër nuk mund të gabojë dy herë në shtëpi”, – ka përfunduar Braho. Ndërkohë formacioni i mundshëm i Luftëtarit në përballjen me Bylisin do të jetë: Birja. Rexha,Çunaj, Erg.Mersini, Frashëri, Lluka, End.Mersini, Qejvani, Çaço, Nelaj, Aliaj.