AlbanianSport.com 08.04.2015 16:15
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur sot pasdreke ndeshje e parë të gjysmëfinales së parë dhe Kukësi ka mundur minimalisht Skënderbeun. Ndërsa takimi i dytë, ai midis Tiranës dhe Laçit, luhet sonte, duke nisur nga ora 17:00. Në atë që ishte dueli i parë i nga 3 të tillë që do të zhvillojnë brenda këtyre dy javëve, Kukësi ka mposhtur minimalisht Skënderbeun, duke hedhur kështu një hap drejt finales.
Në fakt, takimi i zhvilluar pa praninë e tifozëve në Stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, për shkak të ndëshkimit të fushës së verilindorëve nga Komisioni i Disiplinës ka nisur mjaft intensive dhe janë korçarët ata që rrezikojnë duke goditur madje edhe shtyllën e portës së gardianit vendas, Halili. Por Kukësi reagon dhe është Pejiç ai që korrigjon shënjestrën në krahun tjetër dhe shënon në minutën e 7-të. Goli thjesht sa e ka ndezur lojën, por pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të vendasve.
Në pjesën e dytë, Skënderbeu do të bëjë një vëllim më të madh loje, por Kukësi do të rrezikojë me anë të kundërsulmit dhe madje do të godasë edhe shtyllën e portës korçare, me anë të Dos Santosit. Pavarsisht gjithçkaje, Kukësi fiton 1-0 dhe shkon më i qetë në ndeshjen e kthimit që do të luhet pas dy javësh. Ndërsa takimi i dytë, ai midis Tiranës dhe Laçit, luhet sonte, duke nisur nga ora 17:00.