AlbanianSport.com 08.04.2015 15:20
ASNN – Pas rreth 30 viteve inekzistente, skuadra që sot drejtohet nga Mjeshtri i Merituar i Sportit, Theodhori Driza, është ngjitur në nivelin më të lartë të volejbollit shqiptar të femrave, duke siguruar të drejtën për të qenë pjesëmarrëse e Grupit A1 (elitës).
Ish-anëtari i ekipit kombëtar, Partizanit dhe Flamurtarit e vlerëson këtë pjesëmarrje të skuadrës mes më të mirave si një dritare të hapur të volejbollit shqiptar. Në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu, trajneri Driza flet për rrugën që ka ndjekur ekipi i tij në arritjen e objektivit.
– Ëndrra juaj dhe e dashamirësve të volejbollit për femra u realizua. Si ndiheni pas kësaj?
– Natyrisht ishte diçka e brendshme që më ngacmonte në ndërgjegje dhe shpirt, por tani jam i kënaqur dhe i qetë. Realizova një dëshirë si detyrim për qytetin tim e dashamirësit, të cilët ëndërronin gjithmonë rikthimin e skuadrës së volejbollit të femrave në elitë. Ky është një moment historik dhe i lavdishëm për mua dhe sportin vlonjat, pasi unë u rrita dhe u edukova me këtë sport që në moshë të vogël.
– Detyrë e vështirë apo jo, për sa u përket financave dhe organizimit të skuadrës?
– Pasioni, ndërgjegjja dhe puna në grup ishin çelësi i suksesit për mua si trajner dhe skuadrën. Së bashku me zëvendëstrajnerin Harrallamb Babe dhe sponsorin tonë, biznesmenin Fatmir Lazaj arritëm që në këto dy sezone të nisim punën me skuadrën e të rejave; të shpallemi kampionë në grupin A2 dhe në sezonin 2014-2015 me 8 skuadra të mbijetojmë edhe për sezonin tjetër.
– Cila është përbërja e skuadrës tuaj?
– Me vajza të reja nga 14-22 vjeç, pa shumë eksperiencë, por me 1-2 vjet veprimtari nga skuadra e të rejave te të rriturat. E veçanta është afrimi në skuadër i tri studenteve nga Krutja si: Xh. Sulko, S. Sulko dhe E. Gjermeni. Pjesa tjetër janë vlonjate si Çushaj, Isakaj, Mehmetaj, Petritaj, Lamani, E. Malaj dhe P.Malaj me një shtatlartësi të admirueshme nga 1.77- 1.85 m. Volejbollistja K. Çaushaj (16 vjeç) ka një gjatësi 1.88 m dhe është anëtare e kombëtares. Për sezonin e ri do të afrojmë edhe 4-5 vajza nga të rejat e trajnerit Sh. Abedini.
– Çfarë parashikoni për sezonin e ardhshëm?
– Objektivi ynë është të rrisim cilësinë e lojës dhe të renditemi në mesin e tabelës. Por parashikoj disi vështirësi për sa i përket financimit nga Bashkia.
– Nisur nga përvoja e drejtimit në vite, cili është pengu juaj?
– Shpresoj që të rihapen klasat sportive si dikur. Ato janë fidanishtja e cilësisë sportive të volejbollit. Jam shumë i gëzuar që qeveria, në programin e saj, ka edhe krijimin e klasave sportive.