AlbanianSport.com 08.04.2015 13:30
ASNN – Skënderbeu është skuadra që duhet mundur, ndërsa si kampione e Shqipërisë, katër herë radhazi, asnjëherë nuk ka arritur të bëjë bis trofesh. Sepse nuk ka mundur të fitojë Kupën e Shqipërisë, ndonëse dy herë ka bërë të veten Superkupën.
Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë i ka rezervuar një përplasje me Kukësin, e quajtur ndryshe vendi i parë me të dytin. Dhe për fatin e keq, Josa do të ketë mungesa. Nuk do të ketë në dispozicion dy mesfushorët e krahëve, Prognin dhe Berishën.
Pa thënë Ademirin, si dhe Peter Olajinkën, i cili është i dënuar nga Disiplina. Ndërkaq, në dispozicion do të jenë Enkel Alikaj dhe Tefik Osmani, të cilët nuk janë në formën e tyre optimale.
Për Skënderbeun duket se kjo është javë vendimtare, pasi luan sot ndaj Kukësit në Kupën e Shqipërisë e të hënën me Partizanin për kampionat. Por dhe ndaj të kuqve përsëri do të ketë mungesa.
Kjo sepse Nimaga është ndëshkuar me karton të kuq në Laç, kurse Vangjeli e Abazi kanë plotësuar numrin tre të verdhave. Parë kështu, Skënderbeu e Josa duhet të ndërtojnë dy formacione të ndryshme për të dy ndeshjet.