AlbanianSport.com 07.04.2015 21:00
ASNN – Nëse titulli “kampion” në Kategorinë Superiore nuk varet vetëm nga Tirana, Kupa e Shqipërisë është në këmbët e vetë futbollistëve bardheblu të kryeqytetit.
Për të arritur këtë trofe që do të ishte shpëtimi i sezonit, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani duhet të kalojë në fillim në gjysmëfinale Laçin.
Sfida e parë do të luhet në “Qemal Stafa” dhe tekniku e di mirë që këto 90 minuta janë shumë të rëndësishme.
Për fatin e keq të bardhebluve, statistikat në përballjet direkte me Laçin në këtë sezon flasin kundër Tiranës.
Për këtë arsye kalimi në finalen e Kupës së Shqipërisë shihet edhe si një revansh për Maganin.
Kundër Laçit, trajneri Magani nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Erando Karabeci.
Sidoqoftë, trajneri peqinas i kryeqytetasve merr lajme të mira pasi Morino dhe Malaj kanë rikuperuar dëmtimet dhe janë gati për të zbritur në fushë.
Në seancën e fundit stërvitore është bashkuar me skuadrën edhe Elis Bakaj, që mund të luajë vetëm në fundjavë kundër Vllaznisë.