Nga Gjergj Vyshka 07.04.2015 15:30
Katër ekipet e para të kreut përplasen dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Teksa është luajtur 75% e sezonit janë në garë 4 skuadra për titullin kampion me një diferencë prej 4 pikësh nga vendi i parë në të katërtin. Java 29-të konfirmoi me plotë kuptimin e fjalës se ky është jo vetëm kampionati, por edhe sezoni më i bukur dhe më i luftuar në 20 vitet e fundit. Gjithashtu edhe në garën për mbijetesë lufta është e hapur, pasi Apolonia ka ende shpresa.
Këto sigurisht janë gjëra të thëna, por ka edhe një tjetër detaj që e bën jo vetëm kampionatin më të luftuar, por të gjithë sezonin më të bukur dhe më të luftuar. Kupa e Shqipërisë ka mbërritur në gjysmëfinale, të cilat do të diskutohen midis 4 prej 5 skuadrave më të mira të kampionatit aktual, çka i shton akoma më shumë rëndësinë këtij trofeu. Prej shumë vitesh nuk ndodh që në ndeshjen e kampionatit, që i paraprin sfidave gjysmëfinale, skuadrat të luajnë me gazin në maksimumin dhe impenjim total.
Në përgjithësi në një moment të tillë trajnerët kursejnë lojtarët më të mirë, por kjo nuk ndodhi kësaj radhe. Laçi, Tirana, Kukësi dhe Skënderbeu luajtën me titullarët në sfidën e javës së 29-të për të çuar deri në fund luftën në kampionat. Sikur të mos mjaftojë kjo, në intervistat për shtyp pas ndeshjes, asnjë nga trajnerët e 4 skuadrave gjysmëfinaliste nuk guxon të kthejë vëmendjen tek Kupa.
Josa dhe Cungu nuk u ndalën fare për ndeshjen e të mërkurës, Magani kërkoi të shijonte me skuadrën suksesin ndaj Flamurtarit dhe afrimin me kreun, ndërsa Shaqiri hodhi një batutë duke e cilësuar sfidën me Elbasanin si një miqësore përpara sfidës së parë me Skënderbeun. Tashmë sezoni është në sulmin final dhe në këtë periudhë të tij në të shkuarën aleancat kanë funksionuar më së miri, duke lëshuar diku për të përfituar në një vend tjetër.
Për këtë arsye quajeni sezoni më i bukur dhe më i luftuar i 20 viteve të fundit, pasi jo vetëm kampionati, por edhe Kupa po dhuron emocione të forta. Nga e hëna lojtarët dhe trajnerët e 4 skuadrave gjysmëfinaliste do të mendojnë për sfidat e të mërkurës me deklaratat, apo thumbimet për kundërshtarin, për t’i shtuar akoma më shumë sharmin, jo vetëm trofeut të dytë për nga rëndësia në vend, por të gjithë sezonit të futbollit shqiptar.
Kategoria Superiore
Java e 29-të
(4 prill 2015)
Elbasani – Kukësi 0-4
Vllaznia – Teuta 1-0
Laçi – Skënderbeu 1-0
Flamurtari – Tirana 1-2
Partizani – Apolonia 1-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Kukësi 29 19 4 6 47-20 61
- Skënderbeu 29 18 6 5 43-14 60
- Partizani 29 18 5 6 31-16 59
- Tirana 29 17 6 6 37-19 57
- Laçi 29 15 8 6 36-16 53
- Flamurtari 29 9 7 13 23-26 34
- Vllaznia 29 11 3 15 24-31 33
- Teuta 29 7 2 20 25-44 23
- Apolonia 29 4 4 21 9-46 16
- Elbasani 29 4 1 24 15-58 13
Java e 30-të
(11-12 prill 2015)
Të dielën:
Tirana – Vllaznia
Skënderbeu – Partizani
Kukësi – Laçi
Të hënën:
Apolonia – Flamurtari
Teuta – Elbasani