Gjergj Vyshka 07.04.2015 12:15
Maratona Egnatia, për herë të parë në historinë e maratonave në vendin tonë, do të ketë gjatësinë sipas rregullave ndërkombëtare. Pra që do të thotë se do të vrapohet 42 kilometra e 195 metra. “Ka dy variante për përfundimin e Maratonës, e cila është duke u studiuar”, – ka sqaruar Sekretari i Shoqatës së Rrugës “Egnatia”, Gjon Koliqi, duke folur për gazetën “Telegraf”.
“Së pari të përfundojë në pistën e stadiumit “Niko Dovana”dhe tribuna e mbushur me fëmijë, apo nxënës të shkollave të ngrihet në këmbë për të pritur maratonistët, – ka vijuar ai. Dhe së dyti një tjetër mundësi është që të përfundojë dhe pranë “Amfiteatrit”. Maratona do të nisë dhe do të përfundojë në Durrës. Do të shkohet deri në Kavajë e do të kthehet nëpër rrugët e Plazhit.”
Ndërkohë që duke pasur dhe ndihmën e Federatës Shqiptare të Atletikës synohet dhe futja e kësaj Maratone të veçantë në kalendarin vjetor të veprimtarive të Federatës Botërore. “Sepse jemi të ndërgjegjshëm që në të do të marrin pjesë nga e gjitha bota të ndarë sipas kategorive të moshave që ne tashmë i kemi caktuar”, – ka përfunduar Gjon Koliqi.