AlbanianSport.com 05.04.2015 09:45
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra ka nisur të shtunën fazën e “play-off”-it me ndeshjet e para të gjysmëfinaleve dhe, ndërkohë që Apolonia ka fituar bindshëm në përballjen me Skënderbeun, Tirana ka bërë surprizën, duke fituar ndeshjen e parë në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas. Ndeshjet e dyta luhen të mërkurën, më 8 prill 2015.
Pas mbylljes së sezonit të rregullt, Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra vazhdon me fazën e “play-off”-it, me ndeshjet e para të gjysmëfinaleve, të cilat janë luajtur të shtunën. Ndërkohë që Apolonia ka fituar bindshëm në përballjen me Skënderbeun, Tirana ka bërë surprizën, duke fituar ndeshjen e parë në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas.
Në këtë takim, vendaset e kanë nisur më mirë pjesën e parë, duke kryesuar vazhdimisht dhe duke e mbyllur këtë 10-minutësh në epërsi 22-13. Tirana ka reaguar në 10-minutëshin e dytë, të cilin e fiton me shifrat 15-11, por janë vlonjatet e Viron Toskës që shkojnë në pushim të ndeshjes me epërsinë 33-28. Fatin e këtij takimi do ta vendosë 10-minutëshi i 3-të.
Gjatë kësaj pjese është shënuar 1/3 e gjithë totalit të pikëve dhe Tirana ka fituar me rezultatin 33-24, duke përmbysur kështu shifrat në 61-57. Vajzat bardheblu të drejtuara nga trajneri Erdal Borova nuk e kanë lëshuar lojën, duke e fituar edhe pjesën e 4-t dhe të fundit, me shifrat 19-17 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 80-74.
Tirana hedh kështu një hap të madh drejt vendit në finale, ndërsa ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve luhen të mërkurën, më 8 prill 2015.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kalendari i “Play-Off”-it
Gjysmëfinalet
Ndeshjet e para
(4 prill 2015)
Apolonia – Skënderbeu 90-50 (1-0)
Flamurtari – Tirana 74-80 (0-1)
Ndeshjet e dyta
(8 prill 2015)
Skënderbeu – Apolonia (16:00)
Tirana – Flamurtari (19:00)
Ndeshjet e treta*
(11 prill 2015)
Apolonia – Skënderbeu (16:00)
Flamurtari – Tirana (11:00)
* Nëse do të jenë të nevojshme.