AlbanianSport.com 04.04.2015 19:10
ASNN – Federata Shqiptare e Notit ka organizuar Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve dhe Të Rinjve, që sot ka zhvilluar ditën e tij të parë të garave. Rivaliteti ka qenë i pranishëm në të gjitha garat, teksa që në ditën e parë të konkurrimit janë thyer 11 rekorde kombëtare.
Ky kampionat do t’u shërbejë notarëve si një test për aktivitetet e radhës si kombëtare ashtu edhe ato ndërkombëtare. Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve dhe Të Rinjve ka dhuruar plot 11 rekorde kombëtare në ditën e parë të garave. Notarët kanë thyer 8 rekorde personale dhe 3 në stafetë.
Në këtë veprimtari të organizuar nga Federata Shqiptare e Notit, morën pjesë rreth 100 notarë nga 7 ekipe, e më konkretisht Teuta, Tirana, “Te Stela”, Partizani, “Nobis”, Butrinti dhe Flamurtari. Ky kampionat ka një rëndësi të veçantë për notarët, gjë që e ka theksuar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Notit ka filluar përgatitjet edhe për pjesëmarrjen në Lojërat e para Olimpike Evropiane të Bakusë. Në Olimpiadën që do të mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, sporti i notit synon të përfaqësohet me 4 sportistë, 2 vajza dhe 2 djem.