AlbanianSport.com 03.04.2015 21:15
ASNN – Nuk ka vonuar dhe ka ardhur edhe reagimi i peshëngritësit Daniel Godelli, i cili u pezullua për 2 vjet nga ana e Federatës Botërore të Peshëngritjes. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook”, Daniel Godelli ka akuzuar Luan Shabanin për përjashtimin e tij dhe të kolegëve nga të gjitha veprimtaritë sportive të peshëngritjes.
Këtë të fundit, ai e akuzon si fajtorin kryesor për sportistët të cilët kanë rezultuar pozitiv në testin B dhe përjashtimin e tyre nga aktivitetet sportive. “Peshëngritja është dhe mbetet sporti më i suksesshëm në Shqipëri dhe në Kampionatin Botëror këtë e treguam me gjithë forcën që kishim, pa e menduar që midis nesh ishte një tradhtar, qe tradhtoi flamurin për të dytën herë”, – shkruan Godelli, duke iu referuar largimit të Shabanit nga Shqipëria në vitet 1990-t.
“Dhe çdo gjë e ka bërë me vetëdije të plotë, për të eliminuar ekipin shqiptar nga olimpiada që t’i hapë vend ekipit grek dhe kjo tradhëti nuk i falet, – vijon më tej shtangisti peqinas.- Ai nuk ka asnjë pikë burrërie, nuk ka as guximin të hapi telefonin e të japë një shpjegim. Kjo eshtë diferenca midis kampioneve dhe tradhtarëve. Kjo, miq e dashamires të sportit është e vërteta. Ju kërkoj falje që jeni ndjerë të zhgënjyer”, përfundon peshëngritësi Daniel Godelli.