Gjergj Vyshka 03.04.2015 18:45
Në prag të kampionatit dimëror të rriturve dhe të rinjve, sekretarja bën parashikimet: “Notarë të tillë si Ngresi, Aleksi, Baholli, Basho e Merizaj pritet të japin rezultat”. Noti shqiptar, të shtunën e të dielën në pishinën e shkollës jo publike “Nobis”, do të zhvillojë aktivitetin e dytë kombëtar. Bëhet fjalë për kampionatin kombëtar të të rriturve dhe të rinjve në pishinën 25-metërshe.
Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, shpjegon të gjithë organizimin e këtij aktiviteti. Pritshmëritë e tyre për sportistë të veçantë të tillë si Franc Aleksi, Diana Basho, Deni Baholli, Nikol Merizaj dhe Aleksandër Ngresi. Por një talent të tillë si Deni Lazaj janë duke e pritur dhe nga Flamurtari.
Janë të sigurt se klubet e shoqatat e rretheve në mungesë të pishinave dimërore nuk mund të bëjnë shumë në këtë kampionart. Sikundër kundërshtohet dhe udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ta përballuar nga grandi vajtjen në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku. Ja dhe intervista e sekretares Haxhija për gazetën “Telegraf”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Jemi në prag të kampionatit kombëtar dimëror të të rriturve dhe të rinjve, cilat janë pritshmëritë e Federatës?
– Mbi të gjitha presim që të kemi thyerje të rekordeve, si dhe një evidentim më të madh të cilësisë së këtij sporti në vend. Mos harroni që deri më tani janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë kampionat mbi 100 sportistë, të cilët do të përfaqësojnë 8 klube. Bën përshtypje Flamurtari, i cili ka regjistruar gjashtëmbëdhjetëvjeçarin Denis Lazaj, i datëlindjes 1998, që për moshën që ka me rezultatet që është deklaruar me kohë për t’u pasur zili. Në të tilla kushte duhet parë. Pra presim një pjesëmarrje të gjërë dhe me shumë cilësi.
– Është një kohë e gjatë që nga kampionati i të rriturve në shtator në këtë që do të bëni sivjet. Si janë përgatitur skuadrat?
– Problemi më i madh është për skuadrat e rretheve, sepse ekipet e Tiranës dhe të Durrësit, edhe duke u njohur me kalendarin, i kanë pishinat dimërore afër. Kurse rreth si Vlora, Saranda janë vetëm me pishina verore. Dhe për rrjedhojë gjatë gjithë kësaj kohe janë marrë më tepër me përgatitje fizike, ndoshta mund të kenë bërë ndonjë seancë stërvitore në pishina në Durrës. Kështu që nuk mund të pritet shumë nga skuadrat e rretheve, por vetëm ato që janë stërvitur gjerësisht në pishinat dimërore.
– Jemi në prag të kampionatit ballkanik të të rinjve në Rumani. Kjo garë e fundit dimërore do të jetë evidentuese për elementët e kombëtares?
– Së pari, edhe për mungesë të fondeve, ne këtë aktivitet ia kemi deleguar klubeve, të cilat nëse dëshirojnë do t’i mbulojnë vetë shpenzimet. Megjithatë kandidaturat janë evidentuar, por do të shihen dhe më mirë në këtë garë.
– Ka pasur një udhëzim nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit që vajtja në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku të përballohet me fondet e Federatave. A është normale?
– Sigurisht që jo, sepse vajtja në një aktivitet të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar përballohet financiar nga Komitetet Olimpike përkatëse dhe jo nga Federatat. Aq më tepër që kur kemi bërë dhe shpërndarjen e grandit ne nuk e kemi planifikuar një gjë të tillë. Ne kandidaturat i kemi përcaktuar që janë Franc Aleksi dhe Diana Basho, por udhëzimi për t’i çuar me shpenzimet tona nuk është normal.
– Një javë më parë keni pasur dhe kampionati e fëmijëve, çfarë u arrit?
– Në radhë të parë ishte masiviteti. Në radhë të dytë dhe rritja cilësore e mbi të gjitha u thyer 39 rekorde kombëtare, që nuk është gjë e vogël për një kampionat fëmijësh.
– Së fundi, cilët janë sportistët nga të cilët prisni më shumë?
– Mbi të gjitha Franc Aleksi, Deni Baholli, Diana Basho, Nikol Merizaj dhe Aleksandër Ngresi. Pse jo dhe Denis Lazaj siç dhe ju thash.