AlbanianSport.com 03.04.2015 16:15
ASNN – Shqipëria është përfaqësuar me një grup prej pesë vrapuesish në Ultra-Maratonën e Podgoricës. Në këtë maratonë, që zhvillonte edicionin e 15-të të saj, pati një prani nga shumë vende të botës ku dallonin edhe maratonistët shqiptarë.
Ishin pikërisht Sotir Qiriaqi, Suat Jegeni, Kajo Myftaraga, Vashi Faniko dhe Gazmend Shehu, nga të cilët vetëm ky i fundit në kategorinë të rritur dhe katër të tjerët në kategorinë veteranë, shkruan e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
Paraqitja e maratonistëve tanë ka qenë shumë e mirë, ku dallohet vrapuesi nga Berati, Gazmend Shehu, i cili ia ka dalë të renditet i treti duke u ngjitur në podiumin e garës së të rriturve.
Ai ka përshkruar 50 km e maratonës për 4 orë e 1 minuta, duke regjistruar kohën më të mirë që ka zhvilluar një vrapues shqiptar në këtë maratonë, njëkohësisht koha e tretë më e mirë.