Gjergj Vyshka 02.04.2015 15:30
Së pari pritet që të prishen të gjitha ndërtesat njëkatëshe, që janë rreth stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër. Së dyti prishja e tribunës dhe e murit rrethues, që në fakt duhet të ishte ndërtuar që para viteve 1990, të paktën sipas projektit që ka pasur asokohe “Vojo Kushi”, sot “Loro Boriçi”.
Së treti prishja e të gjitha rrugëve rreth e qark stadiumit dhe rrjetit inxhinierik, apo dhe i shesheve të parkimeve. E më pas nis faza e ndërtimit të tribunës. Për të kaluar në rikonstruksionin e shkallareve ekzistuese dhe ndërtimit të atyre të rejave. Një tjetër fazë është ndërtimi i nyjeve sanitare për shkallaret për publikun.
Jo vetëm kaq, por pritet dhe rikonstruksioni i ambienteve në shkallaret ekzistuese. Të paktën do të ketë një fasadë të re për stadiumin, ndërsa do të bëhet instalimi elektrik, i nyjeve hidro-sanitare, instalim i sistemit të ngrohjes dhe ftohjes. Po kështu fusha e stadiumit do të jetë me tapet të ri.
Kurse dhe pista e atletikës, një ndër sportet e traditës në Shkodër, do të ketë një sistem të ri. Më pas do të jetë pajisja për ndriçimin e fushës, audio-video dhe TV. Pa harruar këtu pajisjen e stadiumit me karrige, apo dhe pajisjen e portave me biletari elektronike. Dhe në fund do të jenë dhe ashensorët, plot katër copë.
Pak a shumë si Elbasani, por që do ta ketë kapacitetin më të madh.