AlbanianSport.com 02.04.2015 10:05
ASNN – 3,000 euro për futbollistët dhe anëtarët e stafit teknik dhe 5,000 euro për trajnerit Xhovani De Biazi. Ky është shpërblimi që Federata Shqiptare e Futbollit ka akorduar për kuqezinjtë për atë fitore 2-1 që arritën të dielën e shkuar në “Elbasan Arena” ndaj Armenisë. Kështu, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur t’i shpërblejë lojtarët dhe stafin e Kombëtares shqiptare për fitore e arritur ndaj Armenisë.
Kuqezinjtë kapërcyen atë gol të pësuar në minutat e para të sfidës së luajtur në “Elbasan Arena” dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke shënuar dy herë në çerekorën e fundit të lojës dhe duke fituar me rezultatin 2-1. Kjo fitore e ka vendosur Kombëtaren në pozicion mjaft të volitshëm për të shpresuar për një vend në Evropianin e 2016-s.
Dhe, për këtë arsye, lojtarët e Kombëtares shqiptare dhe stafi i saj pritet të shpërblehen nga Federata Shqiptare e Futbollit. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit kanë deklaruar se do të jetë një fond prej rreth 100 mijë eurosh që do të shpërndahet për Kombëtaren pas tre pikëshit të fituar të dielën. Në bazë të një rregulli të përcaktuar edhe në kontratë, trajneri Xhovani De Biazi do të përfitojë rreth 5,000 euro si shpërblim për këtë fitore.
Ndërkohë, edhe anëtarët e stafit do të kenë mundësinë të përfitojnë një shpërblim prej rreth 3,000 eurosh secili. Kurse, ndarja e parave si shpërblim pas fitores me Armeninë do të bëhet edhe për të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar. Nga sa mësohet, do të ketë një ndarje të tillë ku të gjithë lojtarët do të mund të përfitojnë nga një shumë prej 3,000 eurosh secili.