AlbanianSport.com 31.03.2015 22:00
ASNN – Rikthehet në fundjavë Kampionati Kombëtar i Futbollit me ndeshjet e radhës dhe, në kuadër të Kategorisë Superiore, Partizani pret në kryeqytet Apoloninë. Duke folur për këtë sfidë, mbrojtësi i të kuqve kryeqytetas, Amir Rrahmani, ka kërkuar përqendrim nga skuadra, duke i cilësuar 8 ndeshjet e mbetura si finale.
Partizani ndeshet në fundjavë me Apoloninë, në një ndeshje ku, duke patur parasysh gjendjen e renditjes, për të kuqtë e trajnerit Shpëtim Duro, gjithçka përveç fitores do të ishte një hap fals. “Ndaj Apolonisë na pret një ndeshje e vështirë, pasi përballë do të kemi një ekip i cili luan pa presion dhe është konstant në çdo ndeshje”, – ka thënë Rrahmani.
Duke folur për këtë ndeshje, mbrojtësi ka kërkuar përqendrim nga skuadra, duke i cilësuar secilën nga 8 ndeshjet e mbetura si një finale më vete. “Në këtë fazë që jemi, çdo ndeshje e luajtur konsiderohet finale pasi nuk ka mundësi të rikuperosh pikët”, – ka theksuar ai.
“Apolonia më ka sjell fat, pasi ndaj fierakëve kam shënuar edhe golin tim të parë në këtë sezon, që u pasua edhe me dy të tjerë, – ka vijuar mbrojtësi i të kuqve. – Sigurisht dëshira ime është të shënoj sërish, edhe pse më të rëndësishme janë tre pikët, pavarsisht kush shënon.”
“Personalisht mendoj se kemi shumë shanse për t’u shpallur “kampion”, por thjesht duhet të vlerësojmë 8 takimet që konsiderohen të gjitha finale”, – ka përfunduar futbollisti i Partizanit, Amir Rrahmani. Partizani mban vendin e 3-të të renditjes, me 56 pikë, dy më pak sesa Kukësi i vendit të dytë dhe 4 më pak sesa Skënderbeu kryesues.
Ndërsa Apolonia renditet e parafundit, me 16 pikë, 3 më tepër sesa Elbasani i vendit të fundit.