AlbanianSport.com 31.03.2015 20:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj bëhet gati të nisë nesër rrugëtimin e fazës finale të tij, me takimet e para të gjysmëfinaleve të “play-off”-it, që do të luhen të dyja në kryeqytet. Siç dihet, për në fazën finale janë kualifikuar Studenti, Tirana, Teuta dhe Vllaznia.
Në takimet e para, që luhen nesër, Studenti pret Vllazninë në Sallën nr. 1 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, duke nisur nga ora 18:00. Po në të njëjtën kohën, pak kilometra më tutje, Teuta është mysafire në Salla Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, për t’u përballur me Tiranën.
Ndeshjet e dyta, që do të luhen të shtunën, të dyja duke nisur nga ora 18:00, do të luhen përkatësisht në Shkodër dhe në Durrës. Ndërsa takimet e treta, nëse do të jetë e nevojshme, do të zhvillohen të mërkurën e ardhshme në kryeqytet, gjithashtu duke nisur nga ora 18:00.
Për në finale të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj kualifikohen dy skuadrat që fitojnë 2 nga 3 takimet gjysmëfinale dhe 5 takimet finale do të zhvillohen nga 11 prilli, deri më 24 prill 2015. Kampione në fuqi është Studenti, që ka fituar njëkohësisht edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Kalendari i “play-off”-it
Gjysmëfinalet
Ndeshja e parë
(1 prill 2015)
Të mërkurën:
Studenti – Vllaznia (18:00)
Salla 1, Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
Tirana – Teuta (18:00)
Salla Sportive “Fahrie Hoti”, Tiranë
Ndeshja e dytë
(4 prill 2015)
Të shtunën:
Vllaznia – Studenti (18:00)
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
Teuta – Tirana (18:00)
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës
Ndeshja e tretë*
(8 prill 2015)
Të mërkurën:
Studenti – Vllaznia (18:00)
Salla 1, Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
Tirana – Teuta (18:00)
Salla Sportive “Fahrie Hoti”, Tiranë
* Nëse do të jetë e nevojshme