AlbanianSport.com 01.10.2014 08:10
ASNN – Mesfushori organizator i Elbasanit, Orges Gava, ka karikuar ekipin e vet përpara ndeshjes së sotme me Shkumbinin, të vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, duke e vlerësuar këtë përballje. Në një prononcim për gazetat sportive të ditës, “truri” i verdhebluve, Gava, është shprehur pozitiv për takimin ku skuadra e tij udhëton drejt Rrogozhinës, për t’u ndeshur me peqinasit, pasi fusha e këtyre të fundit nuk është marrë përsipër nga policia dhe kështu ndeshja do të luhet në stadiumin e Egnatias. “Kjo gjë na favorizon shumë pasi dhe mund t’ia dalim duke e siguruar që në sfidën e parë kualifikimin për më tej, gjë që kjo do të ishte diçka e mirë, pasi nuk do të na lodhte në takimi e dytë”, – ka deklaruar mesfushori i elbasanasve.
“Prandaj do të synojnë kualifikimin që në këtë ndeshje të parë për të treguar se jemi një skuadër e Kategorisë Superiore dhe kemi premisa të mëdha, edhe pse nuk po ecim mirë në nivelin ku u rikthyem pas tre vitesh mungesë, – ka vijuar Gava. – Rikthimi i Elbasanit do të vijë që nga ky takim, që për ne është i rëndësishëm, sepse na ngre shumë moralin dhe na bënë që të fillojmë të shpresojmë të fitojmë edhe në fundjavë me Apoloninë. Takimi me ta është më i rëndësishëm se ky me Shkumbinin, kështu që do të ruajmë dhe energji për fierakët, sepse Kupa e Shqipërisë ka dy takime, prandaj nuk duhet të shqetësohemi nëse nuk fitojmë të parën, pasi kemi mundësi të fitojmë në shtëpinë tonë në përballjen e dytë, që është edhe ajo që vulosë gjithçka.”
“Derbi me peqinasit gjithmonë ka qenë i fortë, pasi dhe ata kanë një ekip mjaft të mirë, por që tashmë nuk janë më në Superiore, kështu që vetëm Elbasani e përfaqëson qarkun në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, – ka kujtuar futbollisti i verdhebluve. – Dëshira ime e madh është të filloja të shënoja, pasi akoma nuk e kam bërë një gjë të tillë, pasi në sezonin e kaluar ka realizuar disa gola vendimtarë për skuadrën, duke i dhënë pikët në fusha të vështira.” Në përfundim, mesfushori shtatlartë i Elbasanit, Orges Gava, u është drejtuar tifozëve: “U them atyre të vijnë për të na mbështetur, pasi kemi nevojë për ta edhe në Kupë, kështu që duhet ta vlerësojnë ashtu siç do të bëjmë edhe ne pasi ka ardhur ora që duhet të reflektojmë njëherë e mirë për të fituar zemrat e tyre.”