AlbanianSport.com 30.03.2015 20:25
ASNN – Humbja me Shqipërinë të dielën i ka kushtuar pankinën trajnerit të Armenisë, Bernard Shalondë, i cili ka dhënë dorëheqjen sot. “Një pikë nga 4 ndeshje eliminatore në grupin tonë është dukshëm e pakënaqshme, pavarësisht problemeve që ne kishim në skuadër”, – ka deklaruar trajneri zviceran i përfaqësueses armene.
“Nuk kam pse të shfajësohem, – ka shtuar ai. – Ne kishim shans për t’u kualifikuar nga ky grup dhe ky objektiv nuk u realizua, prandaj po largohem.” 63-vjeçari Shalondë, i cili ka drejtuar më parë disa prej klubeve më të njohura zvicerane dhe si dhe përfaqësuesen helvete të Nën-21-vjeçarëve, e mori drejtimin e Armenisë para një viti.
Por në 9 ndeshjet nën drejtimin e tij, Armenia nuk korri asnjë fitore, duke marrë vetëm dy barazime dhe duke pësuar 7 humbje. Për më tepër, pas humbjes 1-2 në “Elbasan Arena” të dielën, Armenia mbetet në vendin e fundit të renditjes, me një pikë të vetme në 4 ndeshje, po aq sa ka edhe Serbia, dhe pothuajse pa shanse për të shpresuar për të paktën një vend në “play-off”-in e Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”.