AlbanianSport.com 01.10.2014 07:00
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit shqiptar, Kupa e Shqipërisë, luan sot takimet e para të turit të parë të saj. Të 16 ndeshjet e këtij turi luhen duke nisur nga ora 14:30 dhe fituesja në fuqi e këtij trofeu, Flamurtari, është mysafire në Kamëz për t’u ndeshur me skuadrën vendase.
Ndërsa finalistja e mundur e sezonit të shkuar është mysafire në Vorë për përballur me modestët vendas. Përsa u përket 3 ekipeve kryeqytetase, Partizani ka udhëtuar drejt Fushë-Krujës, ku do të luajë ndaj vendasve të Ilirisë, kurse Tirana përballet me Sopotin e Librazhdit.
Kurse Dinamo, që prej 3 vitesh militon në Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ndeshet në mjediset e ish-Kompleksit të saj Sportiv me Apoloninë. Kampionia në fuqi, Skënderbeu përballet në Himarë me vendasit, ndërsa fituesja e Kupës para dy sezonesh, Laçi, ka udhëtuar drejt Kuçovës, për t’u ndeshur me Naftëtarin.