AlbanianSport.com 28.03.2015 13:05
ASNN – Futbollistët me origjinë shqiptare ishin sërish vendimtarë për përfaqësuesen e Zvicrës, që mundi 3-0 Estoninë dhe ka hedhur një hap drejt finaleve të “Euro 2016”-s. Sulmuesi i Interit nuk gjeti rrugën e rrjetës, por mori pjesë në tre golat e skuadrës zviceriane, duke nisur nga ai i shënuar nga Sha’ar.
Xhaka dyfishoi rezultatin për vendasit, duke mbyllur praktikisht sfidën që në pjesën e parë. Me rikthimin në fushë, Shaqiri do të nxirrte përpara porte edhe Seferoviç që vulosi suksesin e Zvicrës, që ngjitet në kuotën e 9 pikëve në grupin E. Në krye vazhdon të qëndrojë Anglia. Skuadra e drejtuar nga Roi Hoxhson kaloi pa problem 4-0 Lituaninë.
Anglezët vranë sfidën që në pjesën e parë, duke shënuar dy herë. Runi hapi ndeshjen në minutën e 6-të, ndërsa Uellbek dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë, shpresat e lituanezëve për të dalë me pikë nga kjo sfidë do të shuheshin me dy golat e tjerë, që mbajnë firmën e Stërlingut dhe Keinit.
Ndërkaq, një gol i Moratës i ka dhuruar fitoren 1-0 Spanjës në sfidën e grupit C kundër Ukrainës, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Sulmuesi i Juventusit shënoi në pjesën e parë golin e vetëm, ndërsa pas këtij suksesi, spanjollët renditen në vendin e dytë, me 3 pikë më pak se Sllovakia.