AlbanianSport.com 27.03.2015 14:45
ASNN – Janë luajtur të mërkurën 3 ndeshjet e vlefshme për Grupin A të Kategorisë së Tretë. Dy janë luajtur në Kamzë, aty ku kryesuesit e Kevitanit janë ndeshur me vendin e fundit, atë të Sportingut të Tiranës, duke fituar me rezultatin e thellë 7-0, ndërsa ekipi i “Shqiponjave” vazhdon rrugën e saj të fitoreve, ku këtë radhë “viktimë” është bërë ekipi i Agimit, duke fituar 5-0.
Takimi më i rëndësishëm për këtë grup ishte ai që u luajt në Pezë-Helmës ndërmjet dy vendeve të dyta me pikë të barabarta, Bulqiza dhe Spartaku, ku fitues ka dalë ekipi i minatorëve 2-0. Ashtu siç edhe pritej, takimi ka qenë ndër më të bukurit, ku Spartaku ka shpalosur lojën e tij më të mirë në këtë kampionat, por ka qenë i pafat. Një pjesë e parë e mrekullueshme për Spartakun,
Por kjo u venit në pjesën e dytë nga skuadra e Bulqizës, sidomos pas futjes në lojë të sulmuesit më të mirë të saj, Flogert Rrushi. Ky i fundit dëshmoi rrezikshmëri duke u bërë protagonist i kësaj fitoreje të rëndësishme të ekipit bulqizak. Fillimisht është ai që nxjerr të lirë Adilin duke qenë i vetëm me portierin, e s’e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë. Më pas skuadra e Spartakut ka dy raste të pastra, të cilët dje ishin të pafat.
Dhe në minutën e 75-të do të vijë edhe goli i Flogert Rrushit, që sapo ka marrë topin nga Molla, ka shkarkuar të gjithë potencialin duke tundur rrjetën dhe i ka siguruar fitoren ekipit të Bulqizës.