AlbaniaSport.net 26.03.2015 17:35
ASNN – Fitorja e thellë me rezultatin 78-49 e Flamurtarit ndaj Partizanit nuk ka ndikuar në renditjen e dy skuadrave në renditjen e Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. Kur mbeten për t’u luajtur edhe dy takimet nga sezoni i rregullt, Partizani ka siguruar mbijetesën në Superligë, ndërsa Flamurtarit i duhet të kalojë testin e “play-out”-it.
Në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, kapiteni i Flamurtarit, Klevis Kaso, ka folur për ecurinë e deritanishme, si dhe ka shprehur bindjen e qëndrimit në elitë edhe për vitin tjetër. “Ndeshja në fundjavë ka qenë e fortë, me “fair play” dhe në disa momente e ekuilibruar, – ka deklaruar ai. – Madje, Partizani ka qenë në epërsi në 10-minutëshin e parë dhe të tretë.”
“Partizani këtë sezon kishte fituar në 3 ndeshje ndaj Flamurtarit, prandaj kësaj here kishim një arsye më shumë për ta mposhtur në shtëpi, – ka vijuar basketbollisti vlonjat. -Patjetër që na duhej një fitore morali dhe jemi të kënaqur që e arritëm. Gjykoj se mund të ishim në një vend tjetër në klasifikim apo mund të kishim më tepër fitore. Por, në disa takime, kemi humbur sekondat e fundit dhe me rezultat të ngushtë madje, 4-6 pikë.”
Kaso e ka justifikuar këtë bilanc edhe me gjykimin, duke thënë. “Federata nuk duhet të përcaktojë gjyqtarë nga kryeqyteti në ndeshjet që ne luajmë pikërisht me Tiranën, pasi shpeshherë shfaqet me subjektivitet gjatë ndeshjes”. I pyetur nëse Flamurtari do të jetë pjesë e Superligës edhe për sezonin e ardhshëm, Kaso u shpreh i bindur: “Patjetër!”
Flamurtari do të ndeshet me ekipin e dytë të Kategorisë së Parë, Studenti, dhe jam i bindur në kualitetin tonë dhe kjo të realizohet edhe falë mbështetjes së tifozëve”. Sipas rregullores së Federatës, ndeshja e parë e “play out”-it në fushën e ekipit të renditur në vendin e pestë në Superligë (Flamurtari), ndeshja e dytë në fushën e ekipit tjetër (Studenti), ndërsa e treta (nëse do të jetë e nevojshme) në fushën e Flamurtarit.