AlbaniaSport.net 26.03.2015 15:05
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka, është shpallur të enjten “Qytetar Nderi”, i qytetit të Gjirokastrës. Sipas një njoftimi të botuar në faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, në një ceremoni të veçantë të organizuar në “Kinemanë e Re”, të qytetit kanë marrë pjesë intelektualë, figura të njohura, ish-sportistë dhe shumë personalitete të qytetit të Gjirokastrës.
Kjo ceremoni e shoqëruar edhe me numra artistikë ka patur si kulm të saj, dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i qytetit të Gjirokastrës, Presidentit të FSHF-së, Armando Duka. “Për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe kontributin e tij për zhvillimin e futbollit të këtij qyteti, ku vetëm në një hark kohor prej disa vjetësh janë investuar nga ana e FSHF rreth 600 mijë euro”, – ka theksuar Kryetari Flamur Bime.
Më pas, në emër të Këshillit Bashkiak, Bime i ka dorëzuar Presidentit Duka titullin e lartë. “Ndjehem shumë i nderuar dhe vlerësuar për një titull të tillë, – theksoi Presidenti Armand Duka pas marrjes së titullit. – Qyteti i Gjirokastrës, i shquar për patriotizëm, intelektualizëm, kulturë, art, sport dhe mbi të gjitha për qytetari, më ka bërë nëpërmjet këtij titulli, një respekt të jashtëzakonshëm.”
“Shpresoj që edhe në të ardhmen të jem sa më pranë këtij qyteti, për të ndihmuar në rritjen e futbollit të tij”, – ka përfunduar kreu i familjes së futbollit shqiptar. Për të pranishmit u shfaqën edhe inserte për kontributin e FSHF dhe Presidentit Duka, për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe për historinë e futbollit në Gjirokastër.