Gjergj Vyshka 26.03.2015 10:05
Trajneri i Kombëtares së futbollit të femrave bën analizën e miqësores të së martës: “Kurbogaj, Merovci dhe Aliu, tre futbolliste që luajnë në Suedi, ranë në sy për mirë”. Kombëtarja e futbollit të femrave të Shqipërisë të martën në mbrëmje e ka fituar miqësoren e saj në Luksemburg. Kanë vlejtur golat e Merovcit dhe Morinës, ndërsa një penallti e humbur nga Rrahmani e ka penalizuar disi skuadrën e trajnerit Altin Rraklli për të pasur një rezultat më të thellë në këtë ndeshje miqësore.
E vërteta, ashtu sikurse pranon dhe Rraklli vetë në intervistën e tij për gazetën “Sport Ekspres”, është se kuqezinjtë e kanë dominuar ndeshjen, ndërsa alternimi i lojtareve të formacionit bazë me të rejat ka dhënë efektet e veta. Dhe në përgjithësi duke e vlerësuar të gjithë grupin e lojtareve, Rraklli ka dalluar Merovcin, Aliun dhe Kurbogajn, tre lojtare të cilat aktivizohen në kampionatin suedez. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu
– Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo fitore e kombëtares në Luksemburg?
– Për sa i përket ndeshjes them se i përmbushi objektivat e saj në pikëpamjen tonë për lojën. E kjo për dy arsye, së pari e kishim objektiv parësor testimin e lojtareve të reja, të cilat mund të jenë përforcim për ekipin. E kam fjalë për disa prej tyre. Dhe së dyti kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kemi shpërdoruar shumë raste shënimi, por e përgjithshmja ishte pozitive dhe për këtë jam mëse i kënaqur.
– Vetëm me një seancë stërvitore dhe si të thuash të ardhura nga rruga. Si mundi ekipi të thithi idetë e tuaja për lojën?
– Në formacionin bazë përballë Luksemburgut ne patëm tre lojtare të reja, kurse pjesën tjetër e aktivizuam gjatë pjesës së dytë me qëllim që t’i alternonim sa më mirë me pjesën e futbollisteve titullare të formacionin tonë. Pra kërkuam një gërshetim të titullareve dhe me lojtaret e reja dhe pikërisht këto futbolliste e justifikuan plotësisht besimin tonë, sepse u përshtaten mirë me skuadrën dhe idetë e lojës sonë.
– Luksemburgu ka pranuar se është më poshtë në nivel se ne. Do të thotë se pas 6 muajsh larg fushave ne jemi rritur si skuadër?
– Duhet të pranojmë që Luksemburgu nuk është një skuadër e një niveli shumë të lartë. Kështu që edhe ne e kishim më të lehtë për të parë lojtaret që na duhen në këtë miqësore, e cila për fatin tonë të mirë u kurorëzua me sukses.
– Së fundi, kë mund të dalloni dhe të veçoni si futbollistet më të mira të takimit?
– Për mua janë tre lojtare të cilat luajnë në Suedi. Është fjala për Kujtime Kurbogajn, Fatbardha Aliun dhe Naime Merovci. Tre futbolliste që krahas të tjerave do të jenë një siguri më shumë për kombëtaren tonë.