Nga Ismet Bellova * 30.09.2014 16:10
Sigurisht dy pikat më kulmorë të veprimtarisë kanë qenë dy ceremonitë madhështorë e spektakolare – ajo e çeljes, e zhvilluar në Pallatin e Sportit në Bruksel, dhe e mbylljes në Pallatin e Sportit në Antverp. Si në to, ashtu edhe në ambientet e garave e të ndeshjeve ka spikatur e sunduar atmosfera e festës sportive dhe fryma e miqësisë dhe e vëllazërimit midis sportistëve dhe popujve. Pjesëmarrja e prania e Mbretëreshës së Belgjikës, Matildë, e përshëndetjet e saj, e kanë rritur mjaft entuziazmin dhe vlerën e Lojërave.
Po kështu kanë qene të pranishëm edhe mysafirë të nderuar, presidentë e kryeministra dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme, personalitete të shquara të fushave të jetës, figura të mëdha të artit e sportit, si dhe ministra, deputetë e autoritete të larta të shtetit e të partive. Për t’u përmendur janë gjithashtu edhe ish-kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe aktualisht kryetar nderi i Komitetit Organizator të Lojërave, Dr. Zhak Rozhe. Po kështu Presidenti i Olimpikut Special Botëror, Tim Shrivër; Presidentja e Olimpikut Spëcial Euro/Euroaziatik Meri Devis etj.
Ambasadori ynë, Ilir Tepelena, është takuar me delegacionin në Namur dhe i ka përshëndetur olimpistët tanë duke iu uruar suksese në garat dhe ndeshjet sportive e ditë sa më të bukura në Belgjikë. Veç garave e ndeshjeve sportive, gjatë ditëve te Lojërave, është zhvilluar edhe një veprimtari e gjerë, e gjithanshme dhe tepër e dobishme në mjaft drejtime. Një vend të rëndësishëm, padyshim, ka zënë kontrolli mjekësor nga mjekë e specialistë të shquar i të gjithë pjesëmarrësve, të cilët u janë nënshtruar vizitave në disa fusha të mjekësisë si në okulistikë, otologji, stomatologji, osteopati, pediatri, fizioterapi etj.
Gjithashtu është zhvilluar një simpozium shkencor për probleme aktuale e të mprehta të lëvizjes olimpike speciale; janë trajtuar probleme të Forumit familjar, si dhe janë zhvilluar aktivitete promovuese të sportit të unifikuar, vrapimi olimpik etj. Pas 8 ditë garash e ndeshjesh të shumta e të bukura sportive, sipari i veprimtarisë është ulur dhe flaka olimpike, ky simbol i madh i sportit në shekuj, ndezur dhe që ka qëndruar duke ndriçuar gjatë gjithë këtyre ditëve në fshatin olimpik të Antverpit, është shuar me “urdhërin” e Mbretëreshës Matildë, e cila i ka deklaruar Lojërat të mbyllura.
Veç bukurisë e spektaklit të tyre sportiv, Lojërat Evropiane Olimpike Speciale kanë promovuar e përcjellë edhe mesazhin e madh të humanizmit, përkrahjes e mbështetjes së të gjithë opinionit e shoqërisë për këtë shtresë të njerëzimit, që ashtu si ne e gjithë të tjerët, ka dëshirë e pasion për të ushtruar sportet, për të luajtur, për të garuar e për t’u ndeshur, për t’u argëtuar e zbavitur, njëlloj si e gjithë pjesa tjetër e rruzullit.
*Presidenti i Komitetit Olimpik Special Shqiptar