Gjergj Vyshka 21.01.2015 16:55
Delegacioni shqiptar ende nuk e ka të qartë se me sa sportistë do të shkojë në Azerbajxhan. Deri më tani, Shqipëria në Lojërat Olimpike Evropiane “Baku 2015” ka vetëm dy sportistë të kualifikuar me normë. Dhe ata vijnë nga çiklizmi, teksa bëhet fjalë për Eugert Zhupën dhe Redi Halilajn.
Sakaq është me ftesë boksieri Kristian Demaj, kurse se çfarë do të jetë pjesa tjetër e delegacionit shqiptar është e vështirë të thuhet. Por e sigurt, edhe për shkak të paraqitjeve jo të mira në aktivitetet evropiane dhe botërore 2014, që ne nuk do të kemi të kualifikuar me normë.
Dhe këtu sërish na e kalon Kosova, sepse në disa sporte të veçanta jemi krenuar me kosovarët, madje duke i dhënë atyre dhe pasaportat shqiptare. Kurse tanimë, sapo Kosova është bërë anëtare e Federatave Ndërkombëtare, të gjithë ata sportistë që ishin me ne kanë ikur. Dhe ndodh në karate.
Megjithatë për sportistë të kualifikuar me normë, të cilët numërohen me gishtat e dorës, nuk është vetëm ky shkaku. Por se në përgjithësi mbesim gjithnjë të fundit dhe tanimë, rreth tre muaj larg startit të Olimpiadës së parë Evropiane, askush nuk e ka të qartë se me sa dhe si do të shkojë e do të përfaqësohet vendi ynë. Në të vërtetë, Karaqi, Nishevci e Orges Arifi deri në fund të vitit të kaluar kanë garuar për Shqipërinë.
Por pas pranimit të Federatës së Karatesë së Kosovës në familjen botërore dhe atë evropiane të këtij sporti, tre karateistët vendosën të garojnë për Kosovën. Ndaj sot na e ka kaluar dhe Kosova për sportistët e kualifikuar me normë për në Olimpiadën e parë Evropiane, “Baku 2015”.