Gjergj Vyshka 21.01.2015 15:35
Dinamo edhe këtë javë po luan në Pezë-Helmës, në fushën e Akademisë së Futbollit “Internacional”. Është hera e katërt që dinamovitët luajnë në këtë fushë, teksa kanë fituar 1-0 me Tomorin, si dhe janë mundur dy herë 1-2 me Bylisin dhe Pogradecin. Pa llogaritur që kanë luajtur dhe një miqësore me Tërbunin, teksa kanë barazuar 1-1.
Dinamovitët kanë pasur idenë që këtë ndeshje me Butrintin ta luanin në “Qemal Stafa”. Por duke qenë se aty të dielën luan Partizani me Laçin nuk kanë pranuar ta zhvendosin të hënën. Sikurse nuk kanë pranuar që këtë ndeshje me Butrintin, për efekt të transmetimit në televizion, ta luanin të premten.
Ndaj do të luajnë sot në Pezë-Helmës, e cila tashmë është kthyer në një qendër të Kategorisë së Parë. Sepse po të dielën, në ora 15:00, aty do të luajë Ada-Tërbuni. Në total deri më tani janë luajtur gati tetë ndeshje zyrtare të këtij kampionati duke anashkaluar jo vetëm Kamzën, por dhe Yrshekun dhe kompleksin Olimpik.
Sepse Pezë-Helmësi ofron kushtet më ideale infrastrukturore për një futboll cilësor.