AlbaniaSport.net 21.01.2015 11:35
ASNN – Pavarsisht pozitave në renditje, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, kërkon nga skuadra e tij përqendrim për të mos bërë një hap fals. Në fakt, kjo është një sfidë skajesh, pasi përballet skuadra kryesuese me atë të fundit të renditjes. Pas 27 javësh, Skënderbeu kryeson renditjen me 57 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e fundit, me vetëm 13 pikë dhe vetëm matematika e ndan nga rënia në Kategorinë e Parë.
Në kuadër të javës së 28-të të Kategorisë Superiore, Skënderbeu përballet me Elbasanin, në atë që është në fakt një sfidë skajesh, pasi përballet skuadra kryesuese me atë të fundit të renditjes. Pavarsisht këtyre pozitave në renditje, trajneri i korçarëve kryesues dhe kampionë në fuqi, Mirel Josa, kërkon përqendrim për të mos bërë një hap fals.
“Siç e thatë edhe ju, janë edhe nëntë javë për t’u luajtur dhe parapëlqej që llogaritë t’i bëj në fund, – ka deklaruar ai gjatë konferencës së djeshme për shtyp në prag të ndeshjes së sotme. – Jemi në luftë për objektivat dhe kjo është e rëndësishme, por tani duhet qetësi dhe kujdes, duke filluar që nga ndeshja e sotme kundër Elbasanit. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë.”
“Dhe gabimi më i madh është që ende pa luajtur të mendohet se si do të jetë fitorja, – ka vijuar trajneri kryeqytetas i korçarëve. – Duhet përqendrim maksimal. Qetësia është primare në futboll, Parashikime të tjera nuk mund të bëhen. Nuk dua ta analizoj kështu këtë takim, pasi nuk dua të shoh se ndaj nesh do të jetë barka e fundit e shpëtimit për Elbasanin.”
“Unë Elbasanin e shikoj si të gjitha ekipet e tjera dhe parashikimi i vështirë me Vllazninë qëndronte, pasi përtej fitores hasëm vështirësi”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa. Pas 27 javësh, kampionia në fuqi kryeson renditjen me 57 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e fundit, me vetëm 13 pikë dhe është gjithnjë e më pranë rënies edhe matematikisht në Kategorinë e Parë.