AlbanianSport.com 30.09.2014 14:20
Një lajm i papritur ka tronditur dje jo vetëm ekipin e trajnerit Lorenc Pashja, por dhe tifozët peqinas, të cilët nuk kanë dashur ta besojnë një gjë të tillë. Sipas tyre dhe faqes së “Facebook”-ut, KS Shkumbini, policia e Peqinit nuk e ka marrë përsipër sigurimin e ndeshjeve të skuadrës bardhekaltër në fushën e vet.
Që do të thotë se tashmë Shkumbini, duke nisur nga ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Elbasanin, duhet të luajë në fushë të huaj si pritës. Por në të tilla kushte duket se Shkumbini është më tepër i rrezikuar për të rënë nga Kategoria. Ndërkohë që çudia e tifozëve është fakti se ka luajtur Elbasani dy ndeshje zyrtare në Peqin.
Sakaq një lajm të tillë e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan. Neritan Nallbati, i cili ka thënë: “Policia e Peqinit nuk e ka marrë përsipër, sepse Bashkia dhe klubi i Shkumbinit nuk kanë plotësuar standardet e kërkuara për një siguri normale. Është toleruar me Elbasanin me premtimin se do të përmbushen kërkesat.”
“Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndaj në Peqin nuk merret përsipër siguria e ndeshjes”, – ka përfunduar Nallbati.