Nga Gjergj Vyshka 20.03.2015 19:10
Shqipëria prej muajsh ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Evropian të Nën-16-vjeçarëve, Divizioni C, teksa nga data 6, deri më 11 korrik 2015 do të jetë përballë Andorrës, Maltës dhe San Marinos. Dhe po kështu dhe për Kampionatin Evropian të Nën-16-vjeçareve për femra, Nën-18-vjeçarëve për meshkuj dhe për femra dhe Nën-20-vjeçarëve për meshkuj. Dhe Kosova është e pranuar pikërisht edhe në këto veprimtari.
Që do të thotë se në dy prej tyre, Shqipëria ka të ngjarë që t’i ketë kundërshtarë kosovarët. Pra nga “miq”, shumë shpejt do të jemi “armiq”. Jo vetëm kaq, por për nivelin që kanë dhe infrastrukturën e ngritur, ata duket se janë shumë hapa përpara Shqipërisë. Parë kështu, me kosovarët kundërshtarë në të gjitha drejtimet, aq më shumë që lojtarë të kombëtares sonë kanë pranuar që të bëhen dhe anëtar të kësaj kombëtareje, na duhet shumë punë për t’i sfiduar.
Një flamur, një komb, por me dy kombëtare të ndryshme në basketboll, në kikboks, në olimpiadë e kudo tjetër. S’na mbetet gjë tjetër veçse t’i sfidojmë, me apo pa dëshirë, sepse ata janë kundërshtarë si të gjithë të tjerët. Për klube në Ligën Ballkanike kemi diferenca të mëdha, aq më shumë që shumë shpejt ato do të mund të jenë dhe Kupat e Evropës. Ndaj duke nisur që me Nën-16-vjeçarët dhe duke i menduar kundërshtar të mundshëm ne duhet të fillojmë të punojmë që të jemi ne fitues.
Sepse kështu na ndau arena ndërkombëtare, mirë apo keq…