Gjergj Vyshka 20.03.2015 10:10
Pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA, si dhe në atë Evropiane, tashmë jep edhe rezultatet konkrete. FIBA Evropa ka konfirmuar se Kosova do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Nën-16-vjeçarëve në divizionin C, që mbahet nga data 6, deri më 11 korrik 2015 në San Marino. Ndeshjen e parë, Kosova do ta zhvillojë me Gjibraltarin, në ditën e parë të kampionatit, dhe kjo do të shënojë debutimin e Kosovës në veprimtaritë evropiane.
Në këtë Kampionat Evropian, Kosova do të garojë në grupin B, ku përveç Gjibraltarit bëjnë pjesë edhe Monako e Uellsi. Por Federata e Basketbollit e Kosovës është edhe në pritje të konfirmimit për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të Nën-20-vjeçarëve, që zhvillohet në Hungari ndërmjet datave 9-19 korrik. Lidhur me pjesëmarrjen e basketbollistëve të rinj në arenën ndërkombëtare, Federata e Basketbollit e Kosovës ka zyrtarizuar edhe koordinatorët për grupmoshat e reja të përfaqësueses së Kosovës.
Amerikani Kris Dajll do të jetë koordinator me grupmosha të reja, ndërsa kjo do të përkrahet edhe nga “Basketboll Embësi” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kompani e cila ka trajnerët e saj dhe do të merret me koordinimin e aktiviteteve të kategorive të reja në nivel shteti. Sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha, thotë se deri nga gjysma e këtij viti, Kosova do të bëhet me përfaqësueset e të gjitha grupmoshave, që do t’i kenë edhe përzgjedhësit e saj.
Kris Dajll thotë se do të punojë shumë që Kosova të ketë të ardhme të ndritur në arenën ndërkombëtare. “Jam këtu që nga dhjetori dhe detyra ime ka qenë që të udhëheqë një kamp të cilën e ka organizuar Federata e Basketbollit me grupmoshat e Nën-16-vjeçarëve, – ka thënë ai. – Ky ka qenë fillimi i bashkëpunimit dhe mendoj se ka qenë një përvojë e shkëlqyeshme. Pas pranimit të Kosovës në FIBA, tashmë ideja është që të krijohet një përfaqësuese konkurruese.”
“Njëkohësisht, duhet të punohet edhe me grupmosha të tjera në mënyrë që të sigurohet përfaqësim sa më i mirë i Kosovës në arenën ndërkombëtare”, – ka shtuar amerikani. Ndërkohë, Tim Drollet, përfaqësues i “Basketboll Embësi”, thotë se roli i kësaj kompanie është që të ndihmojë projektet që kanë të bëjnë me punën e basketbollistëve. “Kam kënaqësinë që jam këtu prej tri ditësh tashmë dhe po kaloj vërtetë shumë mirë”, – ka deklaruar ai.
“Unë njihem me trajnerin Kris Dajll për vite me radhë dhe kryesisht roli i tij në “Basketball Embësi” është përkrahja e projekteve dhe puna të jetë efikase me basketbollistë”, – ka shtuar Drollet. Federata e Basketbollit e Kosovës u pranua zyrtarisht në FIBA më 13 mars 2015