Gjergj Vyshka 14.03.2015 19:55
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka vijuar shpërndarjen e paketës olimpike Nr.4 në Qarkun e Tiranës, ndërsa është bërë trajnimi i 70 mësuesve të edukimit fizik për zhvillimin e tij. Takimi është bërë në shkollën e fshatit Katund i Ri në Komunën e Kasharit.
Prezantimet e materialeve u ndoqën me interes dhe mësuesit vlerësuan veçanërisht faktin se pjesë e paketës ishte Libri i Punës për mësuesit. Për herë të parë, KOKSH i ka ofruar mësuesve të edukimit fizik mundësinë të kenë në duar një libër metodik bashkëkohor me projekte konkrete për t’u zbatuar në lëndën e edukimit fizik.
Ndërkohë po dje janë mbledhur dhe mësuesit e Tiranës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në gjimnazin “Sinan Tafaj”. E kësisoj vazhdon shpërndarja e paketës olimpike Nr. 4, ndërsa 80 përfaqësues të shkollave në qytetin e Tiranës morën nga një kopje të Paketës Olimpike.
Takimi pati diskutime mbi konceptet e Ditës Olimpike dhe organizimin në vazhdim të javëve olimpike nëpër shkollat e qytetit të Tiranës për të kulmuar në fund me organizimin e Ditës Olimpike në Tiranë.