Nga Gjergj Vyshka 13.03.2015 10:10
Kualifikimi i sportistëve tanë me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” tashmë është kthyer në një çështje e ditës për të gjithë drejtuesit e sportit shqiptar. Edhe duke qenë se koha vjen duke u shkurtuar, ndërsa ky është viti i fundit i kualifikueseve për në këto Lojëra, atëherë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit është gjithnjë në këmbë për t’i vënë në punë federatat e sporteve olimpike. Pikërisht për këtë qëllim, pasi janë shpallur grantet vjetore, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka menduar një shtim të fondit për të gjitha ato federata që janë sporte olimpike.
E me këtë ide, të mërkurën drejtuesit e atletikës, boksit, peshëngritjes, mundjes, qitjes, notit, çiklizmit, xhudos, pingpongut, gjimnastikës etj kanë pasur një takim me Drejtorin e Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj. Nga ky i fundit i është bërë e ditur drejtuesve të këtyre federatave kjo shtesë fondi, që do të thotë pjesëmarrje në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të vlefshme për t’u kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Ndërkohë që duke bërë këtë gjë, kur, deri më tani ende sporti nuk po legjitimon shtesat e fondeve për kualifikimin me normë në Lojërat Olimpike (shembulli më konkret është peshëngritja, e cila përfitoi një fond prej 100 milion lekësh për Botërorin e Kazakistanit, por përfundimi ishte tre raste me doping), atëherë nesër të paktën Ministria e Arsimit dhe Sportit do të jetë ballëhapur dhe do të ketë më shumë të drejtë për kërkesë llogarie për mos realizimet.
Sepse nuk ia kanë lënë rastësisë, por e kanë nisur dhe këmbëngulur që më 1 janar 2015 kërkesën për t’u kualifikuar me normë për në Olimpiadë. Tashmë fondet janë bërë dyfish, ndërsa është detyra e sportit të justifikojë atë që po jep deri tani Ministria e Arsimit dhe Sportit. Sepse Shqipëria dhe sporti i saj duhet të jetë me normë kualifikimi në “Rio de Zhaneiro 2016” dhe të mos mbetet vetëm tek ftesa e tek një numër minimal pjesëmarrësish për vendin tonë.