AlbanianSport.com 12.03.2015 21:40
ASNN – Në ndeshje e kontrollit që zhvilloi me skuadrën e Luftëtarit, trajneri Vladimir Gjoni luajti po me atë futbollistë, të cilët kanë qenë titullar në ndeshjet e mëparshme. Bëhet fjalë për ndërtimin e formacionit ndaj Bylis të Ballshit, ndërsa ai ndryshoi disa lojtarë në pozicionet ku janë aktivizuar më parë.
Frashëri u vendos në mbrojtje, ndërsa Ergys Mersini në mesfushë dhe shpeshherë në mbështetje të Tahirllarit në sulm. Nuk ndryshoi dyshja sulmuese, atje ku përvç Tahirllarit do të jetë edhe Braho, ndërkohë që Shena kishte rolin e organizatorit. Gjoni, përveç përgatitjes fizike të skuadrës, ka bërë edhe sqarimet e duhura ndaj çdo futbollisti për detyrën që ka në skuadër.
Por njëkohësisht ka kërkuar edhe rritjen e besimit dhe kthimin e moralit në skuadër se në çdo ndeshje duhet “luftuar“ për të fituar dhe, në asnjë rast, me çfarëdo skuadre të mos shkohet dhe mendohet se “e kemi të humbur ndeshjen”. “Fitoren do ta kërkojmë edhe në Ballsh”, u është drejtuar lojtarëve duke u thënë në vazhdim se: “Në lojë jemi të barabartë dhe fiton ai që gabon më pak”.
“Ne i kemi mundësitë dhe unë bashkë me ju do të mundohemi të mos dalim pa pikë dhe përbërja e skuadrës tonë është shumë e mirë, por kërkohet mobilizim dhe përqëndrim. Kryesorja është të japim maksimumin“, ka përfunduar duke iu drejtuar futbollistëve trajneri Vladimir Gjoni.