Gjergj Vyshka 12.03.2015 09:45
Saliaj: “Do të jetë vetëm në drejtim të aspekteve teknike, por dhe të stërvitjes e të lojës”. Edhe ndaj Sopotit, blutë përsëri me mungesa, nuk do të jenë Thana, Ferraj e Rexhepi. Dinamo ia ka dhënë plotësisht “timonin” e drejtimit të skuadrës një figure shumë të njohur të drejtimit të këtij ekipi si Faruk Sejdini.
Jo vetëm si lojtar, por dhe si trajner, me tituj “kampion” dhe Kupa të Shqipërisë, mbi të gjitha i njohur për gjetjen dhe mënyrat e motivimit të skuadrës edhe atëherë kur është keq, Faruk Sejdini duket se është zgjidhja më e mençur dhe më optimale që drejtuesit e bluve kanë bërë në këtë moment të “nxehtë” për ekipin e tyre.
“Ne vendosëm, – thotë administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, – Faruk Sejdini do të jetë jo vetëm drejtor teknik, por do të drejtojë stërvitjen së bashku me Asllanin, si dhe lojën. Pra gjithçka që lidhet në aspektin teknik të skuadrës sonë, sidomos në këtë emergjencë që jemi ne, teksa kërkohet shpëtimi, është në dorën e Sejdinit.”
Ish-trajneri i bluve të paktën deri në sezonin 2011-2012 rikthehet në këtë skuadër pas gati tre vjet e gjysmë mungesë. Eksperienca e tij duket se do të jetë ndihmë e madhe për të gjithë futbollistët e Dinamos, kuptohet për t’i gjetur vendin e duhur në fushë e për t’i motivuar për të dhënë më të mirën.