AlbanianSport.com 11.03.2015 16:10
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, kosovari i përfaqësueses polake, Dardan Berisha, është zgjedhur shënuesi më i mirë i Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj për sezonin e rregullt 2014-2015. Në fakt kjo është vetëm për pjesën e ndeshjeve në grup, ndërsa Peja e Berishës, si dhe SIGAL Prishtina janë kualifikuar tashmë për në “play-off”-in final të kësaj Lige.
Ende nuk është caktuar vendi organizator i finaleve të Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj, ndërsa sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit ajo do të bëhet më 18 mars 2015 në një mbledhje të posaçme. Por një kandidaturë do të mund të jetë fusha e Kozuvit të Maqedonisë. Sezonin e shkuar, faza finale, e njohur si “4-shja finale” (Final 4) është zhvilluar në Prishtinë.
Gjithsesi duket mbetur tek Dardan Berisha, lojtari i Pejës tashmë e ka fituar titullin simbolik të pikëshënuesit më të mirë në Ligën Ballkanike për edicionin 2014-15. Berisha ka një mesatare me 28 pikë të realizuar për ndeshje, çka e ka bërë atë të jetë lojtari më efikas në edicionin e rregullt të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, që tashmë vazhdon me fazën finale.
Dardan Berisha, shqiptari që përfaqëson Poloninë, për momentin po vuan nga një lëndim në gju, ҫka e la pa aktivizuar në finalen e Kupës së basketbollit të Kosovës, atje ku Peja e tij ishte fituese. Megjithatë pritet që Berisha të jetë në finalet e Ligës Ballkanike, atje ku si Peja, ashtu dhe SIGAL Prishtina kërkojnë ta marrin për herë të parë këtë trofe.