Gjergj Vyshka 11.03.2015 15:15
Xhino Gargano dhe Ervin Canollari prezantojnë projektin që do të sjellë më shumë të rinj në fushë. Trajnerët e klubit italian, sipas kontratës, parashikohet që 4-8 herë në vit të jenë në Tiranë. Parashikohet që të gjitha skuadrat e moshave të Internacionalit të jenë të veshura me fanellat e Udinezes. Ndërkohë që deri më tani me të gjitha ato që janë bërë në atë Akademi është shpenzuar një shumë prej 2.7-2.8 milionë Euro.
Dhe në të, përveç Internacionalit, stërviten dhe Partizani, Tërbuni, Mamurrasi, ndërsa Canollari me krenari pranon që është futur si fushë në Kategorinë e Parë. “De Biazi e ka parë atë terren, – ka deklaruar presidenti i Akademisë së Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës, Ervin Canollari. – Sigurisht që Kombëtarja do të ishte mirë për t’u stërvitur aty, por në Resortin “Tropikal” ka hotelin, që ne do ta ndërtojmë shumë shpejt.”
“Nëse deri tani fëmijët tanë paguajnë 50 euro në muaj, shumë shpejt do të jetë një paketë prej 80 eurosh, e cila do të ketë të gjitha gjërat e parashikuara brenda dhe që do të paguhet dy herë në vit. Gjithsesi mendojmë dhe shpresojmë që kështu të na ecë mbarë me binjakëzimin me Udinezen”, – ka përfunduar Canollari, kurse Gargano ka treguar të gjitha kontratat e firmosura me drejtuesit e skuadrës bardhezi.
Sipas tij, në prill do të ketë një zyrtarizim të bashkëpunimin. “Mos harroni që mes Pocit dhe Canollarit ka një miqësi të sapolindur”, – ka shtuar Gargano, ndërsa Udineze dhe Internacional e quajnë të formatizuar binjakëzimin e Akademive.