Gjergj Vyshka 11.03.2015 12:30
Federata Shqiptare e Çiklizmit zbardh veprimtarinë e parë kombëtare. Provohet forma e çiklistëve, Ballkaniku i Banja-Lukës në fokus për t’u fituar. Kupa “Sali Hima” është veprimtaria e parë kombëtare e çiklizmit shqiptar. Kështu ka lajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar në kalendarin e veprimtarive të vitit 2015, teksa ishte planifikuar që gjithçka të niste me “Kupën e Murriqëve më 28 shkurt. Mirëpo forma sportive e çiklistëve, që ende janë në periudhën përgatitore, duket se ka detyruar ndryshimin e kalendarit, duke e lënë për më vonë “Kupën e Murriqëve”.
Sipas njoftimit që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj, për klubet sportive të Apolonisë, Flamurtarit, Burrelit, Tiranës, Elbasanit, Teutës, Pogradecit dhe Elbasanin, kupa për nder të ish-çiklistit të Dinamos, Sali Hima, është në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Itinerari i garave është njësoj sikur të ishte Kampionati Kombëtar Individual, që zhvillohet zakonisht në qershor, ndërsa vendi i zhvillimit është po tek rreth rrotullimi i Qendrës Tregtare “TEG”. Gjithçka nis në ora 10:00 me kadetët, për të vijuar në ora 11:30 me të rinjtë dhe në ora 13:30 me Nën-23-vjeçarët/Të Rriturit.
Kurse data e zhvillimit të veprimtarisë është më 21 mars 2015. Sipas Tahirajt, të gjitha klubet pjesëmarrëse duhet të paraqiten deri më 16 mars, ndërsa mbërritja e ekipeve në Tiranë do të bëhet më 20 mars. Po në këtë datë do të bëhet dhe mbledhja teknike me trajnerët dhe gjyqtarët, si dhe me stafin drejtues të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Klasifikimi, gjithnjë sipas Tahirajt, do të jetë individual, kurse kjo garë do të jetë dhe një provë përpara se të shkohet në Kampionatin Ballkanik, i cili më 18 dhe 19 prill do të zhvillohet në Banja-Luka të Bosnjë-Hercegovinës.
Në fakt Federata Shqiptare e Çiklizmit ka parashikuar dhe grumbullim për elementët e ekipit kombëtar, ndërsa pritet shumë nga sportistët që do të vijnë nga Italia të tillë si Eduard Zhupa, apo Iltian Nika. Gjithsesi tashmë është fakt i kryer, Kupa “Sali Hima”, që do të bëhet më 21 mars, do të jetë veprimtaria e parë kombëtare e çiklizmit shqiptar.
Itinerari i garave të Kupës “Sali Hima”
Paratërinjtë
Unaza e Tiranës – Kristal Center – kthim tek rreth rrotullim TEG (5 xhiro) 60.5 km
Të Rinjtë
Unaza e Tiranës – Kristal Center – kthim tek rreth rrotullim TEG (7 xhiro) 73.2 km
Nën-23-vjeçarët/Të Rriturit
Unaza e Tiranës – TEG – Kristal Center (4 xhiro cirkuit) – Gracen – TEG 98.2 km