* Nga Ismet Bellova 30.09.2014 09:45
Idetë dhe iniciativa e motrave Rozmari dhe Eunise Kenedi dhe në përgjithësi e familjes fisnikërore amerikane Kenedi, për organizimin e zhvillimin e lëvizjes sportive për personat me aftësi të kufizuara, tashmë janë përhapur e kanë gjetur përkrahje e mbështetje në mbarë rruzullin tokësor. Lëvizja olimpike speciale për këta njerëz është shtrirë në rreth 180 shtete të botës, duke përfshirë mbi 3 milion atletë të kësaj shtrese, që merren me sport dhe ushtrojnë 26 lloje sporti. Sporti i këtyrë njerëzve është shumë i bukur, sepse bashkë me gjithçka të mirë, mbart edhe më shumë humanizëm, përkrahje, mbështetje dhe përkujdesje nga e gjithë shoqëria.
Madhështia e kësaj lëvizjeje ka spikatur me ngjyrat më të ndezura e më të bukura edhe në Lojërat e 24-ta Evropiane dhe Euroaziatike të zhvilluar në Antverp të Belgjikës më 13-20 shtator 2014. Në këtë manifestim gjigand sportiv ka pasur shifra e tregues sugjestionues dhe tejet kuptimplotë: 2000 atletë, përfaqësues të 58 shteteve pjesëmarrës, 1000 trajnerë e drejtues, 300 mjekë, 8 ditë gara e ndeshje në 10 llojë sporti, 2500 familjarë të pjesëmarrësve, 7000 vullnetarë dhe qindra e mijëra ruajtës të rendit, punonjës të transportit e objekteve sportivë dhe kontribues të tjërë në fusha e drejtime të ndryshme.
Si pjesë e pashkëputur e Evropës, në këtë veprimtari madhështore është përfaqësuar edhe vendi ynë, me një delegacion modest, të përbërë nga 13 vetë, duke konkurruar në 3 lloje sporti dhe pikërisht në atletikë, not dhe pingpong. Sipas traditës së këtyre aktiviteteve, disa ditë para Lojëravë, pjesëmarrësit janë shpërndarë në 50 krahina, qytete e qyteza të vendit, ku banorë e familje fisnike belge kanë mbajtur në gjirin e tyre përfaqësuesit e 58 shteteve të Evropës dhe Euroazisë, duke zbatuar një program të veçantë e të pasur veprimtarish edukuese, argëtuese e çlodhëse, shoqëruar me takime e vizita të shumta në qendra e objekte të rëndësishme historike e kulturore.
Delegacioni ynë ka pasur fatin dhe nderin për të qënë mysafir në komunën Fose la Vijë, afër qytetit Namur, ku punon e jeton një komunitet i madh shqiptarësh, i integruar plot nder e dinjitet në jetën belge. Drejtuesit e pushtetit vendor dhe familjet mikpritëse, që mbajtën në gjirin e tyre vajzat dhe djemtë e delegacionit tonë, kanë treguar kujdes e frymë të lartë miqësore, duke ua bërë atyre qëndrimin tepër të kënaqshëm e të gëzueshëm. Ja pse falënderimi e mirënjohja jonë për të gjithë mikpritësit është e përzemërt dhe e pakufishme, duke veçuar sidomos drejtorin energjik të sportevë në komunë Zhan Fransua Favrese dhe bashkatdhetarin tonë të mirë e të dashur Adnan Rexhepin, që kanë qenë vazhdimisht pranë e midis nesh.
*Presidenti i Komitetit Olimpik Special Shqiptar