AlbanianSport.com 10.03.2015 13:25
ASNN – Nuk ka zgjatur shumë dhe vetëm një ditë nga dorëheqja e Bledar Devollit ka ardhur trajneri i ri i Luftëtarit, ndërsa në stolin gjirokastrit është ulur trajneri i Burrelit, Vladimir Gjoni. Trajneri i ri është prezantuar dje para ekipit dhe drejtuesve të tjerë të Luftëtarit nga presidenti Flamur Bime. Gjoni ka qenë në drejtimin e Burrelit deri në javën e fundit të fazës së dytë, që përfundoi këtë të shtunë, dhe krejt papritur është vënë në drejtimin e skuadrës gjirokastrite.
Ai ka qenë më parë tek kjo skuadër, por si futbollist në sezonin 2009-2010. Fillimisht Bime u ka bërë me dije futbollistëve se do të kenë mbështetjen e tij pavarsisht mosrealizimit të objektivit të marrë në fillim të sezonit. Fillimisht u premtua se do të ngjiteshin në Kategorinë Superiore, por tani u duhet të marrin masa të mos bien nga kategoria. Barazimi të shtunën me Butrintin e Sarandës në Gjirokastër ishte arsyeja që u dorëhoq Devolli, ndërsa e ka bërë këtë hap për të ndryshuar situatën në skuadër.