Gjergj Vyshka 10.03.2015 09:45
Blutë për katër ndeshjet që kanë në kryeqytet mendojnë të ndërrojnë terrenin. Kamza, jo vetëm stadiumi, por dhe qendra e ekipeve kombëtare, shihet si alternativë. Dinamo gjen tersin e humbjeve në fushën e vet. Dhe fajin e ka fusha me bar artificial e kompleksit modern të Akademisë së futbollit Internacional në Pezë-Helmës, edhe pse ajo është me bar sintetik. Njëlloj sikurse është terreni i ish-kompleksit blu në të cilin Dinamo stërvitet përditë.
Të paktën kështu mendon administratori i bluve, Ismet Saliaj, të cilit nuk i ka mbetur asgjë tjetër tashmë vetëm se të thotë: “Duhet të shpëtojmë lëkurën e të mos biem nga kategoria. Na ka mundur Bylisi, por na ka mundur dhe Pogradeci e duket se atje nuk na ecën. Ndoshta do të jetë më mirë të ndërrojmë fushën”. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se Dinamo, edhe për shkak të keqvendosjes në tabelë, teksa është në vendin e 7-të, ka vetëm 4 ndeshje në shtëpi.
Do të presë Butrintin, Lushnjën, Shkumbinin dhe Tomorin dhe të gjithë pjesën tjetër të takimeve të tjera i ka në fushë të huaj. E si për ironi të fatit, përpara ndeshjes përmbyllëse të sezonit, e cila më 16 maj është me Tomorin, do të ketë dy ndeshje të vështira dhe të bezdisshme jashtë fushe. Bëhet fjalë për të luajtur në “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës me Naftëtarin dhe më pas në “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit. Prandaj blutë tashmë e kanë menduar alternativën.
Së pari stadiumin e Kamzës, megjithëse kalendari i sjell keq për Dinamon, pasi kur janë blutë pritës, janë po të tillë dhe vendësit. Së dyti, fushën e Qendrës së Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ndonëse ajo nuk ka shkallë për uljen e publikut dhe duket si e vështirë që të plotësojë standardet e kërkuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për Kategorinë e Parë. “E kemi si alternativë Kamzën”, – ka thënë administratori i bluve, Ismet Saliaj.
“Do ta shqyrtojmë dhe do të vendosim, por e rëndësishme është të bëjmë kthesën e rezultateve që në ndeshjen në fushë të huaj me Sopotin”, – ka përfunduar ai, ndërkohë që edhe për shkak të tarifave të larta duket se Dinamo nuk e çon nëpër mend që të luajë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ndërsa ka kaluar në heshtje dhe fushën e Olimpikut në Yrshek. Pra Dinamo duket se e ka gjetur tersin e humbjeve, pavarësisht kusureve që mund të ketë nga pas për arsye të tjera, që është fusha e përsosur e Pezë-Helmësit.