Gjergj Vyshka 10.03.2015 08:50
Për të rinj, paratërinjve dhe fëmijë, skiatorët e kësaj shoqate janë shpallur “kampion”. “Kallabaku” i Borjes është dominues në Kampionatin Kombëtar të skive, i cili këtë fundjavë është zhvilluar në Bigëll të Dardhës në Korçë. Skiatorët e kësaj shoqate kanë qenë fitues për të rinj, paratërinj dhe fëmijë, duke treguar kështu se kanë një traditë në këtë sport.
Por jo vetëm kaq, por do të kenë dhe vazhdimësinë për ta ruajtur dhe zhvilluar këtë sport në vendin tonë, i cili për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjithnjë është në vartësi të dëborës që bie në vendin tonë. Herë kushtet klimaterike me dimër të thatë, herë dhe fondet e pamjaftueshme, kanë bërë që kampionati kombëtar i skive të mos zhvillohet. Ose të shkohet në Maqedoni si rrallëherë për një kampionat vendës.
Megjithatë në Kampionatin Kombëtar të këtij viti, i cili ishte menjëherë pas pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën pjesë 40 skiatorë, të cilët, sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Skive, Ilirjan Çule, kanë përfaqësuar Kallabakun e Borjes, Shoqatën Rëshqitja Natyrë Korçë, Shoqatën AST Elbasani, Shoqatën Tirana dhe klubet e Vllaznisë, Teutës dhe Skënderbeut.
Për mungesë të fondeve financiare, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Çule për “Gazeta e Sportit”, kanë munguar Shishtaveci, Tërbuni e Grabova. Madje ditë më parë se të zhvillohej Kampionati Kombëtar i Skive në Dardhë, në Shishtavec të Kukësit është zhvilluar ai lokal, i cili është i përvitshëm. Për shkak të të ftohtit që në këtë fundjavë mbërtheu të gjithë vendin, që u shoqërua me reshje dëbore e shiu, kampionati është zhvilluar dhe në kushtet e një mjegulle jo fort normale për garat e skive.
“E megjithatë, – ka deklaruar Çule, – kjo vështirësi në pamje pati mobilizimin e skiatorëve për t’i çuar deri në fund garat dhe me shumë sukses. Madje duhet vlerësuar dhe përkushtimi i organizatorëve të garës, në mënyrë të veçantë i Thoma Tashos, i cili si administrator i pistës “Bigëll” në Dardhë krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për një garë normale të skive”.
Dhe në kampionat është garuar në disiplinën e Sllallomit Gjigant, në një gjatësi prej 400 metrash, ndërsa për fituesit e garave u shpërndanë kupa dhe diploma.
Rezultatet teknike të Kampionatit Kombëtar të Skive
Të rritura
Ana Burda (Skënderbeu) 33”78
Të rritur
Dalin Boriçi (Rrëshqitja Natyra Korçë) 30”18
Të rinj
Lavdërim Hajradini (Kallabaku Borje) 21”72
Kadet
Jurgen Ollomani (Kallaku Borje) 22”19
Fëmijë
Daniel Dokle (Kallabaku Borje) 25”00