AlbanianSport.com 09.02.2015 14:35
ASNN – Kurbinasit kanë pasur mungesa në formacion, megjithatë ia kanë dalë përballë dorëzimit verdheblu, duke fituar 2-0. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Laçit, Armando Cungu, ka deklaruar: “Kampionati sa vjen e vështirësohet dhe çdo sukses ka vlerat e veta e na motivon për të kërkuar të tjera në ndeshjet në vazhdim. Kemi pasur mungesa sot, sepse nuk ka luajtur Cetkoviç, Doku dhe Teqja.”
“Dhe për rrjedhojë tre mungesa janë shumë për një skuadër, – ka vijuar shkodrani i stolit të skuadrës laçjane. – Duhet ta kishim zhbllokuar më parë rezultatin. Ishim të përgjumur në fillim, por më pas kapëm ritmin e duhur dhe krijuam shumë raste, ku më flagrant ishte fundi i ndeshjes, teksa ishim në një superioritet 6 me një. Jam i kënaqur me 3 pikët dhe lojën e ekipit”.
Ndërsa trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, ka pranuar realitetin e rënies nga Kategoria Superiore, duke menduar të punojë për sezonin e ardhshëm me elementin e ri. “E kam thënë dhe pas humbjes në Pogradec me Apoloninë, që tashmë jemi të rënë në Kategorinë e Parë”, – ka thënë ish-portieri i mirënjohur elbasanas, tashmë trajner i verdhebluve.
“Vazhdojmë të luajmë në fusha asnjanëse dhe për rrjedhojë e kemi të vështirë të reagojmë. Sot kam provuar katër futbollistë të rinj. Kemi pësuar një gol të parë për shkak të gabimit në mbrojtje, ndërsa në rastin e penalltisë duhet ta kishim evituar atë. Ne do të vazhdojmë garën tonë dhe do të vazhdojmë të promovojmë të tjerë futbollistë të rinj për të formuar skuadrën e së ardhmes”, – ka përfunduar Dosti.