Gjergj Vyshka 09.02.2015 13:45
Në kuadër dhe mbështetje të politikave zhvilluese të sportit dhe promovimit të sporteve olimpike, që nuk janë tradicionale në Shqipëri, KOKSH në mbështetje të Shoqatës Shqiptare të Harkëtarisë zhvilloi kursin e nivelit të parë të trajnerëve. Gjithçka ka qenë në partneritet me Solidaritetin Olimpik dhe Federatën Botërore të Harkëtarisë, ndërsa kursi është zhvilluar nga data 23 shkurt, deri më 6 mars 2015.
Kursi teknik i trajnerëve të harkut është drejtuar nga eksperti i Federatës Botërore të Harkut, Masimo Xhovanuçi. Ky i fundit është dhe trajnues i trajnerëve të harkut në Itali. Në këtë kurs, i cili ishte shumë intensiv, u trajnuan 20 pjesëmarrës, të cilët vinin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Madje e veçantë ka qenë dhe pjesëmarrja e katër përfaqësuesve të harkëtarisë në Kosovë.
Të gjithë pjesëmarrësit janë përpjekur gjatë kursit të marrin dhe mësojnë teknikën dhe metodologjinë e dhënë nga eksperti. Por gjithashtu nuk ka munguar entuziazmi dhe motivimi i grupit. Në fund, pas 12 ditëve me seanca praktike dhe teorike, sipas programit të Certifikatës së Nivelit të parë për trajnerë të Federatës Botërore të Harkëtarisë, pjesëmarrësit i janë nënshtruar testimit praktik dhe teorik.
Ndonëse një sport i ri në Shqipëri, tashmë është ngritur struktura e trajnerëve për këtë sport, të cilët do të jenë një aset i mirë për ta çuar këtë sport përpara.