Gjergj Vyshka 30.09.2014 07:55
Blutë nuk degdisen jashtë Tiranës për të gjetur një impiant të përshtatshëm për ndeshje. Saliaj: “Edhe ne si klub, por dhe policia do të mbajnë përgjegjësitë e veta për takimin”. Dinamo nuk do të dalë jashtë Tiranës për ndeshjet që do të luajë në fushën e vet si pritës. Ky është lajmi më i mirë për blutë e Dritan Mehmetit, të cilët dje kanë nisur përgatitjet e tyre për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Apolonisë, si dhe për atë të kampionatit me Naftëtarin.
Nëse gjërat ecin mirë, Dinamo llogarit që në përfundim të javës së tretë të jetë jo vetëm në vendin e parë të Grupit të Jugut, por dhe të ketë nëntë pikë të plota, të cilat kështu do t’ia bëjnë rrugën më të lehtë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Duke mbetur tek problemi i stadiumit, administratori i bluve, Ismet Saliaj, ashtu sikurse kishte premtuar dhe një ditë më parë për Gazeta e Sportit dje ka pasur kontakte me Komisariatin Nr.2 në Tiranë.
“Jemi takuar me shefin e këtij komisariati me të cilin kemi gjetur gjuhën e përbashkët e zhvillimit të ndeshjeve tona si pritës në “Selman Stërmasi”, – ka sqaruar ai. – Sigurisht që edhe ne si klub, por dhe forcat e rendit do të mbajnë përgjegjësitë e tyre për mbarëvajtjen normale të ndeshjes. Tashmë nuk ka më mëdyshje, por ashtu sikurse dhe sezonin e kaluar ndeshjet do t’i luajmë në “Selman Stërmasi.”